
E përditshmja britanike “Daily Express” shprehet se pavarësisht interesimit të vazhdueshëm që ka shfaqur skuadra e Uest Hemit, Armando Broja do të vazhdojë të luajë për Çelsin edhe sezonin e ardhshëm.
Sulmuesi 21-vjeçar, që vjen nga një dëmtim i gjatë, që e mban jashtë fushave që prej dhjetorit të vitit të kaluar, do të përpiqet të bindë trajnerin Poçetino për një vend titullari në formacionin bazë. Broja nuk ka udhëtuar për në Amerikë me skuadrën dhe disa mesazhe të tij në rrjetet sociale të lënë të mendosh se ai mund të luajë diku tjetër.
Gjithsesi, duket se Broja ka të tjera plane, pasi ai do të qendrojë te Çelsi dhe do të luftojë për vendin e tij sezonin e ardhshëm. Edhe pse “Blutë e Londrës” kanë afruar në ekip mjaft sulmues të rinj si Kristofer Nkunku dhe Nikola Xhekson, në klubin londinez mendojnë se shqiptari është një lojtar me potencial masiv.
Broja ka për qëllim të qendrojë te Çelsi dhe të fitojë vendin e tij në formacionin titullar të Poçetinos për sezonin e ardhshëm. Duket se nuk ka asnjë shans që transferimi të kryhet këtë verë, ndërsa mungesa e lojtarit nga skuadra parasezonale është vetëm për faktin se ai ende nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi i gjurit që pësoi në dhjetor.
Lini një Përgjigje