
Amir Rrahmani ka qenë protagonisti i një bashkëbisedimi në rrjetet sociale me tifozët e Napolit, teksa mbrojtësi i kampionëve të Italisë, ka zbuluar pak nga sekretet e tij dhe të skuadrës që dominoi në futbollin italian në sezonin e kaluar.
“A kam qenë gjithmonë mbrojtës? Po, që kur isha fëmijë kam bërë mbrojtësin, edhe pse në fillimet e mia isha mesfushor mbrojtës. Numri 13? Më përpara përdorja numrin 18, pastaj kur mbusha 21-vjeç ndërrova skuadër dhe vendosa të merrja numrin 13, pasi të gjithë më thoshin që ishte numër tersi. Por mua më ka sjellë fat”, tha Rrahmani i cili ndryshimin e numrit e bëri vetëm kur u largua drejt Kroacisë, më saktësisht, pasi firmosi për Dinamon e Zagrebit, pasi te Partizani dhe të RNK Split mbante ende numrin 18 në fanelë.
Më pas ai rrëfeu të pathënat për titullin kampion që fitoi me Napolin.
“Kur kuptova që mund ta fitonim kampionatin? Kur mundëm Atalantën në shtëpi.
Ndeshja më e bukur e sezonit të kaluar? Padyshim fitorja 5-1 ndaj Juventusit në “Maradona”.
Të nisim sezonin si kampionë është një krenari, e dimë që pas 33-vitesh kemi fituar titullin dhe tani kemi edhe më shumë përgjegjësi”, tha Rrahmani.
Lini një Përgjigje