
A lejoi Roman Abramoviç që rregullat e lojës së ndershme financiare të anashkaloheshin nëpërmjet pagesave sekrete? Ky është një nga përfundimet e hetimit “Cyprus Confidential”, i kryer nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë dhe i publikuar të mërkurën nga disa media, përfshirë “Le Monde”.
Studimi i dokumenteve nga firmat e shërbimeve financiare qipriote zbuloi se Abramoviç, pronar i skuadrës së Çelsit nga viti 2003 deri në vitin 2022, ka paguar personalisht disa dhjetëra milionë euro për personalitete të lidhura me klubin e tij nëpërmjet kompanive offshore.
Sipas hetimit “Cyprus Confidential”, 10 milionë paund (11.2 milionë euro) i janë paguar në vitin 2017 nëpërmjet një kompanie offshore agjentit italian Federiko Pastorelo. Kjo mund të korrespondojë me një komision të fshehur në momentin e rinovimit të kontratës së trajnerit Antonio Konte, i përfaqësuar ndoshta nga Pastorelo.
Megjithatë, sipas këtij hetimi, agjenti i Eden Hazard, Xhon Biko Penake kishte marrë 6.5 milionë euro nëpërmjet një kompanie guaskë në vitin 2013, disa muaj pas nënshkrimit të sulmuesit belg. Arsyetimi zyrtar i shërbimeve “në lidhje me kërkimin dhe këshillimin në fushën e sportit”, sugjeron edhe komisione të padeklaruara. Këto pagesa sekrete kishin të bënin edhe me transferimet e Samuel Eto'o dhe Willian.
Sipas “The Guardian”, këto transaksione mund të jenë në kundërshtim me rregullat e lojës së ndershme financiare, por edhe me rregullat e futbollit anglez, në lidhje me sinqeritetin e llogarive dhe deklarimin e komisioneve të paguara për agjentët dhe ndërmjetësit. “Nëse vërtetohet se klubi ka përdorur transaksione me palë të treta për të anashkaluar rregullat e përfitimit dhe qendrueshmërisë, sanksionet do të jenë ose një ndëshkim financiar ose heqje pikësh (në kampionat)”,- shpjegon akademiku Kieran Megajër.
Lini një Përgjigje