
Pas triumfit në “El Classico” kundër Barcelonës, Reali ka arritur triumfin e radhës, duke e çuar në 4 numrin e fitoreve radhazi.
Madrilenët kanë mposhtur pastër 4-0 Valencian dhe për ta bërë një gjë të tillë, atyre u mjaftuan vetëm 45 minutat e pjesës së parë.
Skuadra e drejtuar nga Çabi Alonso zhbllokoi shifrat me Mbape, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 19.Francezi shënoi pas një prekje të topit me dorë brenda zonës nga Tarrega gjatë dyluftimit me Eder Militaon.
Ndërhyri VAR, arbitri pa vetë pamjet në ekran dhe drejtoi gishtin nga pika e bardhë, aty ku Kilian Mbape u tregua i saktë dhe dërgoi topin në rrjetë.
Në minutën e 30, asist i mrekullueshëm i Arda Gyler për Mbape, francezi nuk mundi të gabonte nga aq afër dhe shkundi portën për herë të dytë.
Në minutën e 42, Reali fitoi një tjetër penallti për faull brenda zonës nga anësori i Valencias, Tierri Korreia. Goditi Vinicius Zhunior, por gjuajtja e brazilianit u nda nga portieri i miqve, Agirrezabala.
Një minutë më pas, Xhud belingam shënoi golin e tretë, me një goditje klasi në kufijtë e zonës së rreptësisë.
Goli i katërt u shënua nga Alvaro Karreras, i pari për të me fanelën e Realit. Mbrojtësi shënoi një gol të bukur me një goditje të fuqishme në krahun e majtë brenda zonës.
Me këtë fitore, Reali kryeson kampionatin me 30 pikë, ndërsa Valencia renditet në vendin e 18 me 9 pikë.
Lini një Përgjigje