Një letër personale e Princeshës Diana, e shkruar në muajt e parë pas martesës me atë që atëherë ishte Princ Charles, do të dalë së shpejti në ankand, duke hedhur dritë mbi jetën e saj të hershme brenda familjes mbretërore britanike.
Sipas shtëpisë së ankandeve “Gorringe’s”, letra është pjesë e një koleksioni sendesh të rralla që i përkasin Princeshës së Uellsit dhe vjen nga Katherine Hanbury, një mikeshë e saj e fëmijërisë nga shkolla West Heath, ku Diana ka studiuar në vitet 1970.
Letra, e datës 27 shtator 1981, e njohur si “Letra e Muajit të Mjaltit”, është shkruar gjatë qëndrimit të çiftit në Balmoral të Skocisë dhe përshkruan përjetimet e saj në fillimet e jetës martesore.
Në përmbajtjen e saj, Diana flet me një ton të çiltër për muajin e mjaltit, duke e përshkruar si një periudhë të qetë dhe të këndshme, me “diell të pafund dhe det të qetë”, ndërsa shton se po shijonte qëndrimin në Skoci.
“Është e mrekullueshme të jesh e martuar. Mendoj se mund ta them me besim pas dy muajsh…!”, shkruante ajo në letër, sipas “The Telegraph”.
Në një tjetër pjesë, Princesha e atëhershme 20-vjeçare jep edhe një reflektim të sinqertë mbi përshtatjen e saj me jetën në pallatin mbretëror, duke e përshkruar eksperiencën si “si të luash me të rritur”, një koment që më vonë është interpretuar si tregues i vështirësive të saj të hershme në oborrin mbretëror.
Në letër, Diana shprehet gjithashtu e dashuruar me jetën në natyrë dhe më pak entuziaste për Londrën, duke shtuar se i pëlqente të kalonte kohë në ambient të hapur gjatë qëndrimit në Skoci.
Koleksioni që do të dalë në ankand përfshin gjithashtu fotografi nga vitet e saj të shkollës, si dhe dokumente të tjera personale, me një vlerë të vlerësuar nga 5,400 deri në 8,000 dollarë.
Sipas shtëpisë së ankandeve, këto materiale ofrojnë një pamje më intime të Princeshës Diana përpara se jeta e saj të bëhej objekt i vazhdueshëm i vëmendjes publike dhe mediave ndërkombëtare.
Diana u martua me Princin Charles në korrik të vitit 1981 në një ceremoni që u ndoq nga miliona shikues në mbarë botën. Çifti pati dy djem, Princin William dhe Princin Harry, përpara ndarjes së tyre në vitin 1992 dhe divorcit në vitin 1996. Ajo humbi jetën në një aksident automobilistik në Paris në vitin 1997, në moshën 36-vjeçare.
Lini një Përgjigje