
Analisti Mentor Nazarko duke folur për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor në Kosovë, deklaroi se njëjtë si ato të muajit Shkrut, edhe këto zgjedhje nuk do të sjellin ndryshim.
Në një intervistë për emisionin “Të Pashoq” në kanalin në Youtube të Pamfletit, Nazarko shkoi më tej duke thënë se rezultati i 28 dhjetorit do të jetë fotokopje e atij të shkurtit, ku sipas tij kriza do të mbetet. Për Nazarkon ka vetëm në mënyrë që Kosova të dalë nga ky ngërç, nëse partitë bëjnë kompromis dhe futen në koalicon.
Pjesë nga intervista:
-Kalojmë tani tek Kosova. Meqenëse pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, zgjedhjet e reja që do të mbahen pas dështimit të të parave për shkak të historisë që e dimë se si shkoi – krizë e thellë politike, institucionale etj. Si e sheh procesin që do të mbahet më 28 dhjetor në Kosovë? Çfarë do të prodhojë këtë herë?
Nazarko: Unë nuk pres që të vijnë ndryshime të mëdha. Kjo mund të tingëllojë pak pesimiste, por nuk shoh ndryshim të madh në mentalitet, as tek njëri krah—pra tek qeveria e Kurtit apo partia e tij—dhe as tek opozita. Madje, as tek opinionbërësit, tek elita e opinionit publik në Kosovë. Për pasojë, nuk pres ndonjë ndryshim të madh. Natyrisht, në atë mjedisin publik qarkullojnë disa teza, disa inskenime, disa krijime që synojnë ta dobësojnë opozitën, duke u thënë se duan të bashkëpunojnë me listën Srpska, e të tjera të këtij lloji, që janë instrumente propagandistike të konsumuar. Por nuk besoj se kjo do të sjellë ndryshim në orientimin elektoral. Është zgjedhur data 28 dhjetor me idenë që diaspora do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Kurtin edhe fizikisht. Megjithatë, mendoj se rezultati mund të jetë fotokopje e atij të shkurtit. Dallimi që mund të kemi është tek koalicionet e mundshme; ndoshta njëra parti e opozitës aktuale mund të jetë më e prirur të bëjë koalicion me Kurtin. Por duket sikur ka një objektiv të nënkuptuar nga partite e opozitës: nëse ai shkon nën 40 deputetë, atëherë ata kanë më shumë aftësi negocimi, më shumë mundësi për t’i imponuar kushte ose për ta shmangur atë si kryeministër. Sepse duket qartë nga faktori perëndimor, që është vendimtar në Kosovë, se ata nuk e duan më Kurtin në krye të një qeverie të ardhshme.
– Pse?
Nazarko: Sepse Kurti i ka zhgënjyer jo vetëm amerikanët—si republikanët, si demokratët, pra të dy administratat—siç dihen masat e forta, ndërprerja e dialogut strategjik, por edhe ata që ishin mbështetësit e tij të mëdhenj, për shembull gjermanët në fillim të vitit 2021, kur fitoi zgjedhjet.
– Kur ishte Angela Merkel?
Nazarko: Po, kur fitoi zgjedhjet. Sepse Kurti, në emër të një agjende kosovarocentrike—sepse nuk mund të thuash që është agjendë pan-shqiptare; sprova më e spikatur e tij ishte përfshirja në zgjedhjet e Shqipërisë, ku dështoi—i ka zhgënjyer europianët. Ai, në emër të një agjende sovraniste (jo në kuptimin që e përdor Trumpi), e ka ngushtuar hapësirën legale për veprimtarinë politike të komunitetit serb. Këtë e ka bërë në mënyrë të pakoordinuar me perëndimorët. Së treti, nuk ka respektuar marrëveshje që sipas BE-së kanë vlerë ligjore. Së katërti, nuk shihet maturi as në qeverisje, as në elitën politike që ta bëjnë Kosovën partner të besueshëm në një zonë kaq të ndjeshme. Dhe mbi të gjitha, me veprimet e veta, ai ka rritur shanset dhe premisat për konfliktualitet në linjën Kosovë–Serbi.
Ky konfliktualitet funksionon si një plagë e hapur, ku rreziqet e “infeksioneve” nga jashtë rriten. Sipas leximit perëndimor, Kurti krijoi plagë në organizmin politik shtetëror të Kosovës, ku ekziston rrezik për ndikim rus. Konfliktualiteti tërheq lojtarë të huaj në skenë, dhe ky është shqetësimi që e ka bërë perëndimin të jetë më i ashpër me Kurtin, pra me Kosovën, që është krijesa e tyre, se sa me Serbinë, e cila në një kuptim është në kontroll të tyre.
Kush nuk e kupton këtë është miop. Sepse nëse Serbia do të zgjidhte një skenar ekstremist, do të kishim kriza njëkohësisht në Mal të Zi, në Republika Srpska në Bosnjë, në Maqedoni dhe në veri të Kosovës. Serbia e sotme ka qenë e kushtëzuar fuqishëm nga SHBA-ja, posaçërisht nga ambasadori Hill, me të cilin pata mundësi të shkëmbeja disa ide pardje. Kjo Serbi që shohim sot, e goditur edhe nga protestat e studentëve, ku ka elementë të çuditshëm, anti-europianë, pro-rusë, që janë kundër Vuçiçit, është megjithatë një Serbi që i jep armë Ukrainës dhe madje përdor aeroportin e Nishit si stacion ndalimi për avionët me furnizime ushtarake që vijnë nga Amerika drejt Ukrainës. Pra, është një Serbi me qëndrime të shumëllojshme, por që nuk ka krijuar probleme të mëdha dhe nuk e zhgënjen perëndimin në tërësi. Ndërkohë që Kosova, që është krijesë dhe aleate e tyre, po u krijon telashe, të cilat janë thënë dhe stërthënë. Edhe sot, edhe pse mund të pranojmë që Kurti vendosi rendin në veri, realizoi një tranzicion të qetë të pushtetit lokal nga kryetarët shqiptarë tek ata serbë, prapëseprapë nuk ka shenja që do t’i hiqen sanksionet.
Lini një Përgjigje