
Shtëpia e Bardhë në nëntor të këtij viti publikoi Strategjinë Kombëtare të Sigurisë (National Security Strategy, NSS), duke bërë të njohura prioritetet kombëtare të sigurisë amerikane. Në këtë dokument të Shtëpisë së Bardhë që do t’i dorëzohet Kongresit, SHBA ka zbuluar edhe politikën e saj të gjerë për Europën dhe se ku duhet të përqendrohen prioritetet.
Në këto pika të përmbledhura për Europën, në dokumentin e Shtëpisë së Bardhë Europës i kërkohet të aftësohet të qëndrojë në këmbët e veta dhe të funksionojë si një grup shtetesh sovrane të përafruara me njëra-tjetrën, duke marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e saj.
Gjithashtu, Europës i kërkohet “ndërtimi i kombeve të shëndetshme të Europës Qendrore, Lindore dhe Jugore përmes lidhjeve tregtare, shitjeve të armëve, bashkëpunimit politik, dhe shkëmbimeve kulturore dhe arsimore”.
Këtë pjesë të dokumentit e ka komentuar, analisti boshnjak, Adi Çerimagiç, si dhe eurodeputeti holandez, Thijs Reuten.
“Do të bëhet gjithnjë e më e vështirë, dhe në fund e pamundur, për Shtetet e Bashkuara të angazhohen për të punuar brenda ose për të mbështetur kuadrin ekzistues të integrimit dhe zgjerimit të Bashkimit Europian në rajon. Kjo ndikon gjithashtu në zbatimin e marrëveshjeve që mbështesin rendin rajonal pas viteve 1990, nga Marrëveshjet e Dejtonit dhe Parisit, Plani i Ahtisaarit, deri te marrëveshjet e Prespës dhe Ohrit”, thotë Çerimagiç.
Në vende si Serbia, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, analisti boshnjak thotë se disa aktorë politikë tashmë preferojnë qasjen e Trump-it për zgjidhje të shpejta, por të brishta.
“Për ata që duan të sabotojnë, kjo u jep hapësirë për të avancuar agjenda historike që sfidojnë rendin pas viteve 1990. Mënyra e vetme që Bashkimi Europian të mbetet i rëndësishëm, të ruajë rendin pas viteve 1990 dhe të mbrojë interesat e tij në rajon, të realizojë premtimet e veta dhe të rrisë ndjeshëm angazhimin e saj ndaj Ballkanit Perëndimor”, thotë ai.
Ndërkaq, Reuten tha se është shumë e rëndësishme edhe për paqen dhe stabilitetin në Europë që strategjia e re amerikane të shikohet strategjia, përmes perspektivës së Ballkanit Perëndimor.
“Edhe pse edhe këtu interesat e SHBA-së nuk shërbehen nga kjo strategji, nuk kemi asnjë zgjedhje tjetër përveçse të rrisim përpjekjet tona të përbashkëta europiane”, tha ai.
Lini një Përgjigje