TAGS-AT E JAVËS

Kosova10 Dhjetor 2025, 15:51

Haga liron me kusht Isni Kilajn

Shkruar nga Pamfleti

Haga liron me kusht Isni Kilajn

Ditën e sotme është liruar me kusht Isni Kilaj nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Mësohet se vendimi për lirimin me kusht është marrë më 3 dhjetor 2025.

Gjykatësi ka vlerësuar se rrethanat kanë ndryshuar dukshëm që nga rishikimi i fundit i paraburgimit në tetor, duke konstatuar se vazhdimi i mbajtjes së Kilajt në paraburgim nuk është më i arsyeshëm dhe as proporcional.

Megjithëse Gjykatësi konstatoi se ekzistonte njëfarë rreziku që, nëse lirohet, Kilaj mund të ndikojë në ecurinë e procesit ose të kryejë vepra të tjera penale, ai arriti në përfundimin se në rrethanat aktuale e drejta themelore e tij për liri peshon më shumë sesa këto rreziqe”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Dhomat e Specializuara njoftuan se Kilaj do të jetë nën masa të caktuara kufizuese, të cilat do të mbeten në fuqi deri në një vendim të ri të gjykatës.

Kilaj është arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar.

Kilaj së bashku me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliun, akuzohen për pengim të drejtësisë në gjyqin për krime lufte kundër Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Gjykimi ndaj tyre do të nisë më 24 shkurt.

Kjo është hera e dytë që Kilaj lirohet me kusht nga Gjykata Speciale, pasi në maj 2024 ishte liruar pas dhënies së një dorëzanie prej 30 mijë eurove.

Lini një Përgjigje