TAGS-AT E JAVËS

Kosova 9 Dhjetor 2025, 15:55

Shpërthimi në Ibër Lepenc 1 vit më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon tre serbë për terrorizëm!

Shkruar nga Pamfleti

Shpërthimi në Ibër Lepenc 1 vit më parë, Prokuroria

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me partnerë evropianë për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”.

Të pandehurit akuzohen për disa vepra penale, si “Rrezikimin e rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve publike”, “Kryerjen e veprës terroriste”, “Armëmbajtjen pa leje” dhe “Spiunazh”.

Sipas prokurorisë, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, në kanalin “Ibër Lepenc”, tre personat e akuzuar kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT brenda kanalit. Lënda shpërthyese është aktivizuar përmes një çante të lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke shkaktuar dëmtim të rëndë të strukturës së kanalit, ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm dhe rrezikim të prodhimit të energjisë elektrike. Dëmi i shkaktuar vlerësohet në 376,774 euro.

Njoftimi i Prokurorisë:

Aktakuzë ndaj tre personave për rastin e sulmit në kanalin e “Ibër Lepencit”. Prishtinë, Dhjetor 2025 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtoria Kundër Terrorizmit, dhe me partnerët evropianë ka ngritur aktakuzë ndaj J.V., D.V., dhe I.D për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje”, dhe “Spiunazh”.

Sipas aktakuzës, më 29.11.24 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, në pjesën e kanalit “Ibër Lepenc” , të pandehurit J.V dhe D.V, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv (rreth 20 kilogram të llojit Trinitrotoluene “TNT”) në brendësi të kanalit.

J.V. dhe D.V., akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, “Ibër Lepenc”, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, dhe ndërmarrjes “Ibër Lepenc”,  i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh.

Sipas aktakuzës, me këto veprime, të pandehurit J.V. dhe D.V.,  kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve publike” nga neni 122 në lidhje me “Kryerjen e veprës terroriste” .

Dy të pandehurit akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, së bashku edhe me të akuzuarin tjetër I.D.

Ndërsa, i padnehuri  J.V, akuzohet edhe për veprën penale “Spiunazhi”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, Kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat ti përdor gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.

Lini një Përgjigje