Prej orës 07:00 deri në 19:00, qytetarët e Kosovës, që jetojnë jashtë vendit mund të ushtrojnë të drejtën e votës, në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Të drejtë vote kanë 19 mijë e 187 votues të regjistruar, të cilët mund të votojnë në 29 përfaqësi diplomatike në 18 shtete të ndryshme.
Procesi zhvillohet në gjithsej 40 vendvotime, të organizuara në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Kosovës.
Sipas ligjit të ndryshuar për zgjedhjet, votimi nga jashtë realizohet; përmes postës, dërgimit të pakos në adresën e KQZ-së në Kosovë dhe votimit fizik në përfaqësi diplomatike.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe janë regjistruar me sukses për votim në përfaqësi diplomatike mund të votojnë: Me letërnjoftim, pasaportë ose leje drejtimi të Republikës së Kosovës – lejohen edhe dokumentet me afat të skaduar, sipas vendimit të KQZ-së. Zëri juaj ka rëndësi. Merrni pjesë në votim!”, shkruan KQZ.
KQZ bërti të ditur se shumica e votuesve nga diaspora janë regjistruar për votim me postë.
Vota e diasporës ka shënuar rritje të vazhdueshme në zgjedhjet e fundit dhe konsiderohet gjithnjë e më vendimtare për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Lini një Përgjigje