TAGS-AT E JAVËS

Kosova21 Prill 2026, 07:27

Vrasja e Liridona Ademaj, merret sot vendimi i Gjykatës për Naim Murselin dhe dy bashkëpunëtorët

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e Liridona Ademaj, merret sot vendimi i Gjykatës për Naim
Vrasja e Liridona Ademaj

Sot, në orën 13:30, në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Fjalët përfundimtare në këtë proces gjyqësor janë paraqitur të premten, kur palët kanë shpalosur qëndrimet e tyre lidhur me provat dhe përgjegjësinë penale të të akuzuarve.

Prokuroria ka kërkuar dënim maksimal, përkatësisht burgim të përjetshëm, duke pretenduar se vrasja është organizuar dhe realizuar në mënyrë të planifikuar. Të njëjtën kërkesë për dënim me burgim të përjetshëm e ka paraqitur edhe familja e viktimës.

Në anën tjetër, mbrojtja ka kundërshtuar akuzat, duke theksuar mungesën e provave direkte dhe duke kërkuar që vendimi të mbështetet vetëm në prova të pakontestueshme.

Liridona Ademaj u vra në nëntor të vitit 2023, në një rrugë në fshatin Bërrnicë të Prishtinës. Sipas aktakuzës, ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli, dyshohet se ka planifikuar vrasjen, Granit Plava akuzohet se e ka kryer atë, ndërsa Kushtrim Kokalla se ka ndërmjetësuar lidhjen mes tyre.

Prokuroria pretendon se motivi i krimit lidhet me hakmarrje dhe përfitim financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro. Sipas saj, Murseli e ka organizuar vrasjen në bashkëpunim me Kokallën dhe Plavën, duke u premtuar një shpërblim prej 30 mijë eurosh për kryerjen e krimit.

Lini një Përgjigje