TAGS-AT E JAVËS

Kosova20 Prill 2026, 10:13

Kurti thirrje deputetëve: Zgjedhja e Presidentit në dorën tuaj, shmangni krizën

Shkruar nga Pamfleti
Kurti thirrje deputetëve: Zgjedhja e Presidentit në dorën tuaj,
Mbledhje e Qeverisë së Kosovës

Nga mbledhja e Qeverisë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje aktorëve politikë që të dakordësohen për zgjedhjen e Presidentit dhe të shmangin zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kurti theksoi se zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsion dhe se përgjegjësia bie mbi deputetët për të gjetur një zgjidhje përmes kompromisit politik.

Sipas tij, zgjedhja e presidentit mbetet detyrë kushtetuese e Kuvendit.

Kurti deklaroi se situata kërkon vullnet politik dhe kompromis nga të gjitha partitë. Ai nënvizoi se asnjë subjekt politik nuk mund të sigurojë i vetëm 80 apo më shumë deputetë, duke bërë thirrje që diskutimet të zhvillohen mbi bazën e rezultateve zgjedhore dhe në interes të vendit.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për stabilitet institucional dhe parashikueshmëri, duke rikujtuar se qytetarët kanë votuar për një mandat katërvjeçar dhe se së shpejti do të procedohet për miratim programi qeverisës 2026–2030.

Kurti shtoi se një cikël i ri zgjedhor nuk do të sillte ndryshime të mëdha në rezultat, por do të vononte proceset, do të krijonte kosto shtesë dhe do të rrezikonte humbjen e mundësive dhe fondeve.

Ai bëri të ditur gjithashtu se Komisioni Evropian ka nisur transferimin e mjeteve të parafinancimit për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes, pas miratimit në Qeveri dhe ratifikimit në Kuvend.

Sipas tij, nga 61.8 milionë euro të parapara, 28.74 milionë euro tashmë janë bartur në buxhetin e shtetit në formë kredie, ndërsa pjesa tjetër prej 33.04 milionë euro do të realizohet përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor. Ai ka theksuar se 17.73 milionë euro janë grante dhe 15.31 milionë euro kredi, duke shtuar se këto mjete do të shfrytëzohen për projekte infrastrukturore.

kosova president kurti

Lini një Përgjigje