TAGS-AT E JAVËS

Kosova19 Prill 2026, 14:31

Zgjedhja e Presidentit në Kosovë, nis numërimi mbrapsht; edhe 9 ditë nga shmangia e krizës, prapaskenat politike

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhja e Presidentit në Kosovë, nis numërimi mbrapsht; edhe 9
Kuvendi i Kosovës

Presidentja në detyrë tha se nuk është përgjegjëse për të ftuar partitë politike në takime, duke theksuar se këto ftesa po bëhen nga kryeministri Albin Kurti, si lider i partisë në pushtet...

Në Kosovë kanë mbetur edhe 9 ditë nga afati përfundimtar për zgjedhjen e Presidentit të ri, bazuar në afatin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, sipas të cilës procesi duhet të përmbyllet brenda 28 prillit.

Ajo që dihet deri më tani është se nuk ka një marrëveshje politike që do të shmangte krizën e rradhës, që do e çonte Kosovën drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve nga skadimi i afatit.

Glauk Konjufca, një prej kandidatëve të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shprehur gadishmërinë për tu tërhequr nga gara nëse do të gjendet një emër përtej partive politike, që do të bashkojë votat dhe do të gëzojë mbështetjen në Kuvendin e Kosovës, duke shmangur kështu krizën.

Ministri i Jashtëm dhe Diasporës, Glauk Konjufca, tha se zgjedhja e presidentit varet nga vullneti i opozitës. “Shkojmë në zgjedhje të reja nëse ky është vullneti i opozitës, nuk kemi çfarë të bëjmë”, tha ai më 15 prill.

Në anën tjetër, bisedimet mes VV dhe LDK-së po mbahen jashtë vëmendjen mediatike, teksa Kryeministri Albin Kurti ka pohuar se negociatat po vijojnë, por pa dhënë më shumë detaje.

Deputeti Lutfi Haziri ka konfirmuar se LDK-ja është në konsultime me Vetëvendosjen, me synimin për të arritur një marrëveshje që do të siguronte stabilitet institucional dhe do të shmangte krizën politike.

PDK është në pritje të një ftese zyrtare nga VV-ja, por sipas Vlora Çitakut ende një ftesë e tillë nuk ka mbërritur në zyrat e kësaj force politike. Në kushte të tilla bisedimet mes VV-së, si forca kryesore më e madhe e Kuvendit të Kosovës dhe PDK-së, nuk janë zhvilluar, ndërsa duket se Kurti shpreson në një marrëveshje me LDK-në që do ti siguronte kuotën e votave në Parlament për shmangien e krizës.

LDK ka 15 vende në Parlament dhe Kurti drejton një koalicion me 66 mandate, çka në total nëse ka marrëveshje do të çonte në 81 numrin e deputetëve që mund të mbështesnin emrin e Presidentit vetëm me votat e LDK dhe deputetëve që votuan për Qeverinë Kurti.

Në anën tjetër, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka drejtuar një apel partive politike që të arrijnë konsensusin, duke kërkuar nga aktorët dhe faktorët politikë që të shmangin zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Kjo javë është vendimtare. Uroj që të nisë me takime ndërmjet partive politike. Nuk kanë mbetur edhe shumë ditë. Por, në qoftë se ka vullnet, mund të kryhet brenda shumë pak orësh”, tha Haxhiu për mediat.

Presidentja në detyrë tha se nuk është përgjegjëse për të ftuar partitë politike në takime, duke theksuar se këto ftesa po bëhen nga kryeministri Albin Kurti, si lider i partisë në pushtet. Ajo u bëri thirrje partive që t’u përgjigjen pozitivisht ftesave të Kurtit, duke shtuar se takimet mund të ndihmojnë në arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së ardhshme.

Zgjedhja e Presidentit në Kosovë, nis numërimi mbrapsht; edhe 9

Duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja, Haxhiu tha se kjo nuk është në interes të vendit. “Mendoj që është shumë e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kemi shumë punë para vetes, jo vetëm për së brendshmi, por po ashtu edhe për zhvillimet jashtë vendit tonë”, shtoi ajo.

Që prej 4 prillit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka marrë postin e ushtrueses së detyrës së presidentit, pasi ish-presidentes Vjosa Osmani i skadoi mandati pesëvjeçar.

LVV-ja e Kurtit më 5 mars propozoi dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku. Në mungesë kuorumi, procesi është bllokuar.

Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani prezantoi një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani synonte një mandat të dytë, por nuk siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim. Dekreti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria.

Gjykata më pas doli me vendim duke thënë se dekreti i ish-presidentes nuk ka pasur asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit, në të kundërtën shteti shkon në zgjedhje që duhen të mbahen brenda 45 ditësh.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, 57 vende në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit. Për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota, nga 120 vende që ka Kuvendi i Kosovës. /Pamfleti/

kosova presidenti zgjedhje

Lini një Përgjigje