Në Kosovë pritet të rikthehen negociatat mes Kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku për zgjedhjen e Presidentit të ri, ndërsa politika ka hyrë në një fazë kritike, me pak ditë në dispozicion për të gjetur zgjidhjen që do të shmangë zgjedhjet e parakohshme.
Nga raportimet mësohet se negociatat Kurti-Abdixhiku pritet të zhvillohen në Kuvendin e Kosovës, duke shënuar kështu një raund të ri bisedimesh, edhe pse deri tani nuk ka një marrëveshje që do të shmangte krizën.
Gjykata Kushtetuese vendosi si afat përfundimtar për zgjedhjen e Presidentit datën 28 prill, në të kundërt brenda 45 ditëve, Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme, që mund të thellojnë pasigurinë politike dhe shkaktojnë paqëndrueshmëri të zgjatur institucionale.
Glauk Konjufca, një prej kandidatëve të propozuar nga VV-ja e Kurtit për President ka shprehur gadishmërinë që të tërhiqet nga gara nëse arrihet një konsensus për një emër që mund të marrë mbështetjen e partive opozitare. Në anën tjetër, Arbër Rexhaj, deputet i Vetëvendosjes, paralajmëroi diskutime mbi emra konkretë kandidatësh, për të përshpejtuar procesin në ditët në vijim. Negociatat e deritanishme mes Kurtit dhe Abdixhikut, sipas deklaratave zyrtare, janë përqëndruar te kriteret që duhet të ketë një kandidat, por pa hyrë në emra konkretë. Pra mes dy liderëve politikë, njëri në qeverisje dhe tjetri në rradhët e opozitës, është diskutuar mbi parimet, ndërsa afati përfundimtar i vendosur nga Kushtetuesja po afron pa gjetur një zgjidhje.
Ajo që bie në sy është fakti se deri më tani Kurti ka përfshirë në negociata vetëm LDK-në, ndërsa PDK ka ngritur si shqetësim faktin se nuk ka marrë një ftesë zyrtare nga Kryeministri për të nisur bisedimet.
Një ditë më parë, Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu u ka kërkuar forcave politike të arrijnë një marrëveshje, duke argumentuar se, nëse ka vullnet politik, një marrëveshje mund të arrihet edhe "brenda disa orësh". Në të njëjtën kohë, ajo paralajmëroi kundër çuarjes së vendit në zgjedhje të tjera, duke përmendur si lodhjen e votuesve ashtu edhe sfidat e brendshme dhe ndërkombëtare që kërkojnë stabilitet politik.
Një qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe Lutfi Haziri i LDK-së, sipas të cilit, negociatat me VV-në, synojnë ruajtjen e funksionalitetit institucional dhe parandalimin e një krize më të thellë politike.
Por, nga ajo që shihet, të paktën deri tani, ka të bëjë me mosbesimin e thellë mes partive për gjetjen e një marrëveshjeje. VV synon të ruajë kontrollin e saj, duke shfrytëzuar kështu numrin e deputetëve që ka në Kuvend si forca kryesore, PDK në opozitë përqëndron vëmendjen në anën proceduriale të bisedimeve, ndërsa LDK vë theksin te paracaktimi i kritereve.
E gjithë kjo bën që palët të jenë më pranë mosgjetjes së një zgjidhjeje, se sa të arrijnë marrëveshjen që do të shmangte krizën dhe do të çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Kur kanë mbetur vetëm 8 ditë nga skadimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit, ende nuk ka në tryezë emra që mund të bashkojnë palët në një konsensus. Mënyra se si palët politike do të sillen deri në afatin përfundimtar do të tregojë se sa i aftë është sistemi politike në Kosovë për të funksionuar nën presion, sa ai mund të menaxhojë ndasitë politike dhe sa të gatshëm do të jetë palët në proces për të arritur marrëveshjen.
Për zgjedhjen e Presidentit, duhet të arrihet një kuorum në sallën e Parlamentit prej 80 deputetësh, çka do të thotë se nëse VV-ja e Kurtit dhe Abdixhiku i LDK-së arrijnë një marrëveshje, atëherë referuar numrit të mandateve shifra shkon në 81. Në dy raundet e para të votimit, që u dogjën në anën proceduriale, opozita bojkotoi seancën, duke mos u arritur numri magjik prej 80 deputetësh, çka do të thotë se nëse gjatë kësaj jave nuk ka dakordësi, atëherë zgjedhjet e parakohshme janë të sigurta. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje