
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar ditën e sotme familjarët e 3 policëve Beqir Sefës, Rifat Zekës dhe Shemë Mustafës të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe ditën e djeshme.
Me anë të një njoftimi nga zyra e kryeministrisë, bëhet me dije se familjarët e Shemë Mustafës dhe vëllai i këtij të fundit që po ashtu është polic kufitar, kanë pritur zyrtarët e qeverisë në banesë.
Mësohet se Kurti i ka njoftuar familjarët se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në kontakt me institucionet atje, në përpjekje për të marrë sa më parë dhe sa më shumë informacione për gjendjen e policëve të rrëmbyer.
Në fshatin Letanc të Komunës së Podujevës, kryeministri Kurti ka vazhduar vizitën te familja e Rifat Zekës. Ai shprehu mbështetjen dhe solidaritetin me familjen.
Kurti ritheksoi se Republika e Kosovës është në të drejtën e saj dhe se dëshmitë që posedojnë institucionet e vendit dokumentojnë se zyrtarët e Policisë së Kosovës ishin brenda territorit të Republikës. Policët ishin në nivel detyre, në luftim të kontrabandës, në atë pjesë ku më herët janë mbyllur 16 rrugë ilegale.
Lini një Përgjigje