I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, nesër më 16 qershor, do të mbajë një konferencë për mediat për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Serbi.
Konferenca mbahet nga ora 15:00. Nuk ka ende një informacion çfarë qëndrimi do mbajë Eskobar ndaj qeverisë së Albin Kurtit. Nuk do jetë surprizë nëse edhe SHBA do vendosë sanksione ndaj Kosovës, sikurse BE.
I pyetur se a ka pasur komunikim me ndërkombëtarët, Kurti u shpreh sot se ka biseduar me të dërguarin e posaçëm të DASH për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar si dhe me ambasadorin amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier.
“Unë mbrëmë kam pasur bisedë telefonike me të dy, edhe me emisarin special Escobar dhe me Hovenier me të cilët folëm për sigurinë dhe u kam thënë që KFOR të më sjellë informacion para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, mirëpo asnjë informacion! Ne kemi shkuar në mbledhje me informacionet e Republikës së Kosovës që qartazi janë të vërteta."-tha Kurti.
Të martën, në Mitrovicën e Veriut policia e Kosovës arrestoi udhëheqësin e “Mbrojtjes Civile” Milun Millakoviç, i njohur si “Lune”. Ndërsa gjatë ditës së djeshme u rrëmbyen tre policë nga ana e njësisë speciale të Serbisë.
Lini një Përgjigje