TAGS-AT E JAVËS

Kosova15 Qershor 2023, 09:32

Sveçla: Nuk e dimë ku ndodhen tre policët e rrëmbyer, ka qenë një aksion me forca të shumta serbe!

Shkruar nga Pamfleti
Sveçla: Nuk e dimë ku ndodhen tre policët e rrëmbyer, ka

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar në lidhje me rrëmbimin e tre policëve kosovarë nga forcat serbe. Ai shprehet se nuk ka dijeni se ku ndodhen policët dhe se Serbia nuk shqetësohet për tensionimin e situatës.

“Nuk e dimë se ku mbahen policët tanë, Serbia është një vend jo demokratik dhe nuk brengoset për liritë e të drejtat e të burgosurve. Nuk brengoset as për de-eskalim të situatës aktuale. Këto informata po ndahen me partnerët tanë dhe kur ishim aty kishte pjesëtarë të KFOR që hetonin rastin. Mund të them sa i takon terrenit të dhënat përputhen por presim deklarim zyrtar të tyre. Gjurmët tregojnë se ky ka qenë një aksion i këtyre dy njësive speciale me numër shumë më të madh se pjesëtarët e policisë tonë”, tha Sveçla.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ndodhi mesditën e së mërkurës, kur policët dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Krerët shtetërorë në Kosovë e kanë dënuar këtë veprim, të cilin e kanë cilësuar si “akt agresioni”, duke kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të dënojë Serbinë dhe policë të lirohen menjëherë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.

“Këta njerëz nuk kanë çfarë të kërkojnë në zonën Tresava-Batnjik pa miratimin e KFOR-it, sidomos me tyta të gjata”, u shpreh Vuçiç në Radio televizionin e Serbisë (RTS).

Kjo ngjarje po ndodh në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet arritën kulmin më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Lini një Përgjigje