
Të gjitha provat i ka edhe KFOR, ne i ndajmë informatat me partnerët tanë, mirëpo heshtja e tyre nuk i kontribuon as hetimit e as drejtësisë.
Pas rrëmbimit të 3 efektivëve të Policisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla kanë dalë në një konferencë për mediat.
I pyetur se a ka pasur komunikim me ndërkombëtarët, Kurti u shpreh se ka biseduar me të dërguarin e posaçëm të DASH për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar si dhe me ambasadorin amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier.
“Unë mbrëmë kam pasur bisedë telefonike me të dy, edhe me emisarin special Escobar dhe me Hovenier me të cilët folëm për sigurinë dhe u kam thënë që KFOR të më sjellë informacion para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, mirëpo asnjë informacion! Ne kemi shkuar në mbledhje me informacionet e Republikës së Kosovës që qartazi janë të vërteta. Nuk bëhet fjalë për arrestim të policëve, është cenim i integritetit territorial, akt agresioni dhe natyrisht jemi në kontakt me ta, do t’i takoj dhe sot gjatë ditës dhe me Jetish Jasharin jemi në kontakt për vizitë në burgjet ku po mbahen policët tanë. Për hollësi të tjera operacionale ministri është më shumë se unë në dijeni, bëhet fjalë për rrëmbim të policëve përtej atij hendeku të prerë të rrugës dhe dërgim i tyre në Serbi”, deklaroi kreu i qeverisë së Kosovës.
E për provat që dëshmojnë rrëmbimin e policëve nga trupat serbe, Kurti thekson se i ka ndarë dhe me KFOR-in.
“Të gjitha këto i ka edhe KFOR, ne i ndajmë informatat me partnerët tanë, mirëpo heshtja e tyre nuk i kontribuon as hetimit e as drejtësisë. Nuk ka kuptim që për një ngjarje të mos kemi deklaratë zyrtare. Është Komandanti i Përgjithshëm i cili për çdo deklaratë e përmend rezolutën, kjo pyetje duhet t’i bëhet atij ndërkaq ne si institucione të Kosovës ne e konsiderojmë ligjin në fuqi si e drejtë dhe përgjegjësi e jona”, u shpreh ai.
I pyetur nga gazetarët për një shkëmbim të mundshëm mes 3 policëve të Kosovës të rrëmbyer dhe kriminelit serb Millun Millenkoviç, Kurti tha se një gjë e tillë nuk është aspak në planet e tj. Ai tha se arrestimi i Millenkoviç ka shkaktuar panik tek kriminelët e tjerë të cilët nuk e mendonin se diçka e tillë mund të ndodhte.
“Tre policët që janë rrëmbyer nga njësia ushtarake e Serbisë kanë qenë në një rrugë ilegale ku ndalohej kontrabanda. Përballë tyre jkanë pasur njësi të specializuara të Serbisë. Në anën tjetër kemi një kriminel serbe që nuk është bërë kriminel vetëm në protestat në veri por ka dosje të trashë të veprave kriminale të kryera në Kosovë. Këtu ka sundim ligji, republikë demokratike. Arrestimi i Millenkovicit i ka bërë të panikosen të gjithë kriminelët. Nuk kanë mundur ta besojnë që ndodh arrestimi i tij. Prandaj kanë reaguar në atë mënyrë. Ne nuk bëjmë pazare. Nuk di që Beogradi ka kërkuar ndonjë lloj shkëmbimi. Atë edhe mund ta kërkojnë dicka të tillë, por ju nuk keni nevojë të paraqitni këtë si mundësi sepse jeni qytetarë të republikës sonë. Për çfarë shkëmbimi jeni duke folur?”- tha Kurti.
Lini një Përgjigje