
Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joep Borrell, pas takimeve të ndara që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka mbajtur një konferencë për media.
Borrell tha se para palëve ka bërë propozime konkrete, që kanë të bëjnë me tërheqjen e forcave speciale policore të Kosovës nga afërsia e 4 objekteve komunale, tërheqjen e kryetarëve nga objektet komunale si dhe frenimin e protestuesve serbë nga dhuna.
“Kemi shpenzuar më shumë se 4 orë së pari me Kurtin dhe më pastaj me Vuçiqin, për ta gjetur një zgjidhje. Kemi prezantuar para palëve pritjet tona. Nga Kosova kemi kërkuar ndalimin e aktiviteteve policore nga objektet komunale dhe kryerjen e detyrave të 4 kryetarëve nga objekte alternative dhe nga Serbia që të tërheqë protestuesit”, ka thënë Borrell.
Ai tha se në takimet e ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka pasur dakordësi vetëm për nevojën për zgjedhje të reja.
“Takimi i sotëm nuk u fokusua në atë se çfarë, por se si dhe kur – kur do të shtensionohet situata në terren, me hapa konkretë, si të organizohen zgjedhje të reja e si të kthehemi në dialog dhe të implementohen të gjitha marrëveshjet e dialogut, në veçanti ajo e fundit për rrugën për normalizim”, tha Borrell.
Gjatë fjalës së tij ai shtoi se i ka kërkuar Vuçiçit lirimin e tre policëve kosovarë që po mbahen në Serbi. Ky lirim ai tha që duhet të bëhet menjëherë dhe pa kushte.
“I kam theksuar presidentit Vuçiq që tre policët e mbajtur në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte”, tha Borrell.
Po ashtu, ai shtoi se të hënë bashkë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do t’iu raportojnë ministrave që ku kanë arritur. Borrell shtoi se ka kërkuar që të de-eskalohet situata, duke thënë se Kurti dhe Vuçiç janë të vetëdijshëm për këtë, por kanë qëndrime të kundërta.
Lini një Përgjigje