TAGS-AT E JAVËS

Kosova14 Janar 2026, 16:37

Stabiliteti politik dhe dialogu me Serbinë, Peter Sorensen takohet me Osmanin dhe Kurtin

Shkruar nga Pamfleti
Stabiliteti politik dhe dialogu me Serbinë, Peter Sorensen takohet me
Peter Sorensen në Kosovë

Peter Sorensen, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka zhvilluar sot një vizitë në Kosovë. Ai u takua fillimisht me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani. Më pas me liderët e opozitës.

Sa i takon takimit me Osmanin, presidentja theksoi rëndësinë e një procesi dialogu të fokusuar në njohjen reciproke. Ajo gjithashtu kritikoi qëndrimet e Serbisë, duke thënë se ata shkelin vazhdimisht marrëveshjet.

Procesi i dialogut duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe se suksesi i dialogut varet edhe nga trajtimi barabartë i palëve. Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton procesin. Zgjedhjet dëshmuan pjekurinë demokratike të shtetit dhe funksionimin e institucioneve në përputhje të plotë me standardet evropiane. Ky është një hap i rëndësishëm drejt rivendosjes së partneritetit të plotë dhe të barabartë ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Do të vazhdojmë të punojmë pa vonesa të mëtejshme për avancimin e statusit kandidat të Kosovës”, u shpreh Osmani.

Ndërsa në takimin me Kurtin, sipas zyrës së shtypit të qeverisë, kryeministri theksoi se rezultati zgjedhor ka prodhuar një legjitimitet të ri demokratik, i cili garanton qëndrueshmëri politike, duke forcuar më tej funksionimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Ky legjitimitet i lartë, i dalë drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve, siguron përfaqësim të drejtë, kredibil dhe parimor të Kosovës në dialog. Sa i përket palës tjetër në dialog, Kryeministri vlerësoi se e njëjta gjë nuk mund të thuhet për lidershipin në Serbi”, theksohet në njoftim.

Mes tjerash u bë e ditur se në takim, Kurti shprehu gatishmërinë e Kosovës për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe dialog konstruktiv në Bruksel.

Ai theksoi edhe “rëndësinë thelbësore të tërheqjes së letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), dorëzimit të kryeterroristit Millan Radoiçiç, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara. Ai nënvizoi se me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, dialogu prodhon rezultate të qëndrueshme”.

 

peter sorensen kurti osmani

Lini një Përgjigje