Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR shprehet se stërvitjet e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën nuk përbëjnë rrezik për sigurinë në rajon.
Qëndrimi i KFOR-it vjen pas reagimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili i konsideroi këto lëvizje si provokuese dhe shqetësuese. Ai ngriti shqetësimin për zhvillimin e manovrave ushtarake në zonën e Bujanocit, pranë kufirit, ku jeton një popullsi me shumicë shqiptare.
Sipas autoriteteve kosovare, stërvitjet përfshinë përdorimin e helikopterëve dhe dislokimin e parashutistëve pranë zonave të banuara, përfshirë afër objekteve civile.
Nga ana tjetër, KFOR-i bën të ditur se ishte njoftuar paraprakisht nga autoritetet serbe për zhvillimin e një aktiviteti të planifikuar në fshatin Muhovc. Sipas misionit, bëhet fjalë për një stërvitje rutinë brenda territorit të Serbisë që përfshiu njësi parashutiste të transportuara me helikopter.
KFOR-i thekson se situata përgjatë vijës administrative kufitare mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm dhe se komunikimi me institucionet e sigurisë në terren vijon pa ndërprerje.
Ngushtimi i hapësirës së sigurisë rregullohet nga marrëveshjet ekzistuese, të cilat parashikojnë njoftim paraprak për lëvizjet e forcave pranë kufirit dhe kufizime për afërsinë e tyre me vijën ndarëse.
Ndërkohë, Kurti i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të reagojë ndaj veprimeve të Serbisë, duke i lidhur ato me rritjen e tensioneve dhe zhvillimet e fundit në fushën e armatimit.
Tensionet mes dy vendeve mbeten të larta prej disa vitesh, ndërsa procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nuk ka shënuar përparim të ri.
Lini një Përgjigje