
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Prishtinë, ku dy prindër dyshohet se kanë ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj djalit të tyre 5-vjeçar.
Fëmija u dërgua në Klinikën e Pediatrisë dhe aktualisht ndodhet në kujdes intensiv, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në nivel të shputave nga ekipet e ortopedisë dhe kirurgjisë plastike. Mjekët bëjnë me dije se ndërhyrja u realizua sipas protokolleve dhe gjendja e tij gjatë operacionit ka qenë stabile.
Sipas informacioneve mësohet se prindërit e kanë keqtrajtuar në mënyrë sistematike të miturin dhe dyshohet se i kanë prerë edhe gishtat e këmbës, duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike.
Autoritetet ndaluan shtetasit A.K. dhe V.P., ndaj të cilëve gjykata vendosi masën e paraburgimit për një muaj. Ata hetohen për veprat penale “Shkelja e detyrimeve familjare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.
“Klinika e Pediatrisë ju njoftojn se pacienti 5 vjeç, i hospitalizuar aktualisht në Kujdesin Intensiv Pediatrik, sot i është nënshtruar intervenimit të nevojshëm kirurgjik në nivel të shputave nga ekipet specialistike të Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike.
Njëkohësisht, theksojmë se ekipet profesionale shëndetësore janë duke ofruar përkujdesje maksimale dhe trajtimin e nevojshëm në përputhje me protokollet mjekësore. Për këtë arsye, lusim mediat që të kenë mirëkuptim dhe të shmangin presionet për informata shtesë, kërkesa për intervista apo forma të tjera të komunikimit të drejtpërdrejtë, pasi çdo informacion zyrtar nga Klinika e Pediatrisë do të përcillet vetëm përmes Zyrës për Informim pranë SHSKUK-së”-njofton spitali.
Prindërit A.K. dhe V.P. dyshohen për veprat penale Shkelja e detyrimeve familjare dhe Lëndim i rëndë trupor.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar, andaj aprovoj kërkesën e PTHP-së, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.K. dhe V.P, ashtu që të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin”, thuhet në njoftim.
Lini një Përgjigje