TAGS-AT E JAVËS

Kosova19 Mars 2026, 12:10

Serbia kryen stërvitje ushtarake pranë kufirit me Kosovën, Kurti: Provokim i hapur ndaj shtetit tonë

Shkruar nga Pamfleti
Serbia kryen stërvitje ushtarake pranë kufirit me Kosovën, Kurti:
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin për atë që e cilëson si demonstrim të pajustifikueshëm të forcave ushtarake serbe pranë zonave të banuara me shqiptarë në komunën e Bujanocit, afër kufirit me Kosovën.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kurti deklaroi se shfaqje të tilla të forcës ushtarake mbi zona civile, përfshirë shtëpi, shkolla dhe qendra shëndetësore, përbëjnë presion dhe nxisin tensione te banorët, të cilët sipas tij po përballen me spastrim etnik dhe administrativ nga autoritetet në Serbi. Ai shtoi se këto veprime përbëjnë edhe provokim të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës.

Sipas Kurtit, provokimet përfshijnë manovra ushtarake pranë brezit kufitar në Karaqevë, të zhvilluara nga njësia e brigadës 63 të parashutistëve, ku janë përdorur helikopterë H-145M dhe janë kryer hedhje me parashutë pranë kufirit. Ai theksoi se kjo njësi ka trajnuar edhe grupin e Milan Radoiçiç.

“Kjo shfaqje bëhet edhe më alarmuese kur kujtojmë se njëjta njësi ka trajnuar e mbështetur grupin e kriminelit Milan Radoiçiç të cilët realizuan sulmin terrorist në Banjskë ku vranë rreshterin policor Afrim Bunjaku. Këto lëvizje ushtarake të kombinuara me retoriken nxitëse të presidentit të Serbisë, Vuçiç kinse Serbia po përgatitet nga një sulm i mundshëm nga një aleancë Kroaci-Shqipëri-Kosovë dhe blerja e armatimit kinez e rus, konfirmojnë se Serbia po përdor ushtrinë si mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit në tension të vazhdueshëm”, tha Kurti.

Kreu i qeverisë u bëri gjithashtu thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës që të mos bien pre e politikave destabilizuese, ndërsa theksoi se institucionet e Kosovës mbeten të gatshme për çdo skenar.

“Institucionet e Kosovës mbesin vigjilente dhe të gatshme për t’u përballur me çdo kërcënim, por është koha që komuniteti ndërkombëtar të ndëshkojë këtë qasje destablizuese të Serbisë që kërcënon drejtpërdrejt paqen dhe sigurinë rajonale”, tha Kurti.

Lini një Përgjigje