Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, deklaroi në seancën e parë të rregullt të legjislaturës së re të Kosovës se do të kërkojë që të miratohet një rezolutë me të cilën do të kërkohet gjykim i drejtë, i paanshëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtarëve e respektim të të drejtave të njeriut, për të akuzuarit në Hagë.
Ai ka kërkuar mbështetje të plotë për këtë rezolutë, ndërsa u ka bërë thirrje të gjithë liderëve partiakë e institucionalë që të marrin pjesë në marshin e 17 shkurtit në mbështetje të ish-krerëve të U{K-së që po gjykohen në Hagë.
Hamza tha se PDK-ja do të frenohet nga debati në seancën konstituive, ndërsa ka thënë se PDK-ja do t’i japë përkrahje për gjetje konsensusi për çështje të rëndësisë së madhe, siç është edhe çështja e presidentit dhe ajo për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Përkrahjen tonë për gjetje konsensusi mos e shihni si dobësi tonë”, ka deklaruar Hamza.
Hamza shtoi se PDK-ja do të përkujdeset për ruajtjen e çfarëdo tendence për shkelje të Kushtetutës, ndërsa theksoi se në të kaluarën dhjetëra ligje të kaluara në Kuvend janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
Nga ana tjetër, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës e pranon rolin e saj në opozitë, por theksoi se nuk dorëzohet.
Ai shtoi se partia e tij njëjtë si PDK-ja, është e gatshme për bashkëpunim institucional në Kuvend për tema më madhore.
“Uroj që kjo detyrë të ushtrohet me pjekuri, durim dhe vetëdije për rolin që ka Kuvendi në jetën demokratike të Kosovës. LDK shpreh gatishmërinë për bashkëpunim institucional në Parlament për tema që tejkalojnë aritmetikën parlamentare sepse besojmë se stabiliteti i shtetit ndërtohet me maturi, respekt për opozitën dhe vetëdije se demokracia nuk është vetëm çështje numrash por çështje e kulturës politike”, tha Abdixhiku.
Lini një Përgjigje