I mandatuari për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, e nisi fjalën e tij në Kuvend me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë...
Presidentja Vjosa Osmani njoftoi se ka mandatuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti për kryeministër. Pas kësaj, Kuvendi i Kosovës u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme për formimin e Qeverisë.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në hapje të seancës për votimin e qeverisë, ftoi mandatarin Albin Kurti që të prezantojë përbërjen e kabinetit të qeverisë së re.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani Sadriu, në mbështetje në nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, me dekretin nr 18-2026, datë 11 shkurt, 2026, Kuvendit të Republikës së Kosovës ia ka propozuar zotin Albin Kurti, kandidat për kryeministër për të formuar qeverinë e Republikës së Kosovës. Prandaj, ftoj kandidatin e propozuar për kryeministër të Republikës së Kosovës, zotin Albin Kurti, që para deputetëve të Kuvendit ta paraqet përbërjen e qeverisë për miratim, si dhe ekspozenë e tij për mandatin e ardhshëm qeverisës”, tha Haxhiu.
I mandatuari për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, e nisi fjalën e tij në Kuvend me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Kurti tha se propozimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar për dënim të ish-krerëve të UÇK-së me nga 45 vjet burgim bie ndesh me të vërtetën dhe mohon kontekstin historik e politik të luftës çlirimtare.
Ai shtoi se seanca për formimin e Qeverisë dhe ajo konstituive e Kuvendit janë mbajtur në orët e vona pikërisht për shkak të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e Kadri Veselit.
“Kërkesa e prokurorisë për dënimin prej 45 vite burgim për secilin ku përfshihen edhe pretendimet për krime kundër njerëzimit është orvatje që bie ndesh me të vërtetën dhe mohon kontekstin historik e politik të luftës sonë çlirimtare. Qëndrimi i Qeverisë së Republikës që unë drejtoj mbetet i qartë, në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare, ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë nën Millosheviqin. Kjo është e dokumentuar dhe njohur ndërkombëtarësht. Barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm”, tha Kurti.
Më tej Kurti, falenderoi qytetarët për mbështetjen dhe angazhimin e treguar në këtë proces demokratik. Ai theksoi se falë tyre kanë shënuar dhe një rekord të ri historik.
“Të dashur qytetarë, lejoni që së pari t’ju falenderoj juve, ata që votuat Lëvizjen Vetëvendosje dhe ndihmuat në shënimin e një rekordi historik. Ky rezultat është i rëndësishëm, por dua gjithashtu të falënderoj të gjithë ata që votuan partitë e tjera. Pjesëmarrja e lartë në zgjedhje dhe shprehja e vullnetit të lirë janë dëshmi e angazhimit të lartë qytetar për forcimin e demokracisë dhe procesit zgjedhor”, shtoi ai.
Kurti foli gjithashtu edhe për arritjet që janë bërë gjatë mandatit të tij të fundit qeverisë në aspektin ekonomik.
“Në gati 5 vitet e fundit, nga të cilat pothuajse 1 vit si qeveri në detyrë, pa kompetenca të plota, kemi ndërtuar dhe zhvilluar një Kosovë më të drejtë, më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse. Kemi një rritje mesatare reale prej 6 për qind të bruto produktit vendor. Bruto Produkti Vendor, kur e morëm qeverinë ishte 7 miliardë euro, ndërsa tash ka arritur në 11 miliardë euro. Projektojmë që sivjet të arrijë në 12 miliardë euro”, deklaroi mes tjerash Kurti.
Kurti deklaroi se qeveria ka menaxhuar inflacionin me politika mbështetëse për qytetarët dhe se vendi renditet me normën më të ulët të inflacionit në rajon, pas Shqipërisë, duke theksuar gjithashtu rritjen e punësimit dhe të ardhurave. Ai shtoi se në mandatin e ri synon ta çojë pagën mesatare në sektorin publik mbi 1,000 euro, të dyfishojë shtesat për fëmijë nga 30–45 euro aktualisht dhe të tejkalojë disa vende të BE-së në këtë aspekt.
Kreu i LVV-së foli edhe për aleatët dhe sigurinë e vendit. Ai tha se aleancat nuk do të lëkunden, por veç do të forcohen në katër vitet e ardhshme.
“Kosova është më demokratike dhe më e sigurt se kurrë më parë, Kosova është rreshtuar në anën e paqes, të drejtësisë, dhe të aleatëve të saj demokratikë. Aleanca jonë me BE-në dhe ShBA-në dhe vendet mike, nuk do të lëkundet sepse ky bashkëpunim nuk është strategji, është vlerë. Në katër vitet e ardhshme do t’i forcojmë aleancat”, tha ai.
Kurti gjithashtu foli edhe për procesin e dialogut duke thënë se normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do ta ndjekim përmes dialogut konstruktiv e kreativ. Ai ka thënë se do të vazhdojën të mbështesin Procesin e Berlinit.
“Normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë verior, Serbinë do ta ndjekim përmes dialogut konstruktiv e kreativ, përmes marrëveshjes sonë bazike të Brukselit dhe ankesit të zbatimit të Ohrit. Por siç kemi vepruar në katër vitet e kaluara, normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve në mes dy shteteve, pra si raport bilateral i jashtëm e jo ndërhyrje apo përzierje në çështje të brendshme. Qeveria do të mbrojë dhe zbatojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në çdo cep të vendit tonë. Do të vazhdojmë të mbështesim fuqishëm Procesin e Berlint dhe tregun e përbashkët rajonal mbi bazën e barazisë dhe të përfaqësimit të barabartë sepse besojmë që fqinjësia e mirë evropiane dhe bashkëpunimi rajonal i kontribuojnë si paqes ashtu edhe sigurisë. Do të punojmë me këdo që shtrin dorën e bashkëpunimit mbi bazën e respektit të ndërsjellët”, është shprehur ai.
Ndërkohë në fund, Kurti prezantoi kabinetin qeveritar, që duhet të sigurojë të paktën 61 vota nga 120 deputetë për të kaluar. Ai propozoi emrat për 19 ministri, 4 më shumë se mandati i shkuar.
Emrat e propozuar për kabinetin qeveritar:
Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca
Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla
Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim ekonomik, Fikrim Damka
Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Hekuran Murati
Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti
Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci
Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla
Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia
Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrtulla Ceku
Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci
Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha
Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane, Mimoza Kusari
Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq
Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri
Lini një Përgjigje