Deklaratat e Trump për tensionet Kosovë-Serbi përplasin Osmanin me Grenell...
Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan për Misione të Posaçme, ka “futur sërish hundët” te politika e Kosovës.
Pas sulmeve ndaj kryeministrit Kurti, ai këtë herë ka vënë në shënjestër Presidenten Osmani, mbi një deklaratë që kjo e fundit bëri pak ditë më parë gjatë vizitës në SHBA.
Presidentja tha konfirmoi deklaratat e presidentit Trump se ai e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë “në javët e fundit”. "Trump është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit", tha presidentja Osmani, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për zhvillime të vitit 2023 apo 2020, por për zhvillime shumë, shumë të vona.
Por Grenell e akuzon për manipulim. “Donald Trump është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij për paqe dhe normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë më 2019 dhe 2020 përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit në Zyrën Ovale. Osmani nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje. Pretendimi që ka pasur diçka të re është absurde”, ka thënë Grenell përmes një postimi në X.
Në nëntor të vitit 2019, Grenell ishte emëruar nga Trump si i dërguari i posaçëm për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ai ka qenë i përfshirë nga afër në këtë proces.
Vetë Trump i ka përmendur Kosovën dhe Serbinë në disa raste në javët e fundit, duke thënë se ka parandaluar një konflikt mes tyre, por pa ofruar hollësi për periudhën kohore.
Pas deklaratave të Grenellit, Osmani ka paralajmëruar konferencë për media, menjëherë pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara në Kosovë, në ditët në vazhdim.
Lini një Përgjigje