TAGS-AT E JAVËS

Kosova23 Korrik 2023, 21:41

“Po mbajnë anën e Vuçiçit”, Kurti fajëson SHBA-në dhe BE-në për “ngecjen” e dialogut me Serbinë  

Shkruar nga Pamfleti

“Po mbajnë anën e Vuçiçit”, Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka fajësuar BE-në dhe SHBA-në për mosrespektimin e marrëveshjeve nga Serbia. Në një intervistë për gazetën kroate “Veçernji List”, Kurti tha se Serbia nuk e respekton marrëveshjen për shkak të rrethanave lehtësuese që ndërkombëtarë, në radhë të parë Brukseli, por edhe Uashingtonit, i kanë dhënë Vuçiçit.

Sipas tij kjo situatë ka ardhur për shkak se ndërkombëtarët janë shprehur se nuk është obligative për Vuçiçin që ta nënshkruajë atë marrëveshje bazë dhe se mund të flasë se me cilat prioritete dhe kufij do të marrë pjesë në zbatimin e asaj marrëveshjeje.

Unë kam thënë siç e shoh, jam gati për atë që komuniteti serb në Kosovë të organizohet më mirë për të marrë sa më shumë shërbime publike cilësore dhe që të respektohen të gjitha të drejtat e tyre, të cilat janë mjaft të gjera sipas planit të Ahtisarit, por e gjithë kjo duhet të jetë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese të saj dhe gjithashtu në përputhje me letrën e Federica Mogherinit, e cila i ishte dërguar ish-kryeministrit të Kosovës, Mustafa, në të cilën shkruan se ai asociacion nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv apo të përfaqësojë nivelin e tretë të qeverisjes. Por në të njëjtën kohë kemi edhe qëndrimin e qeverisë amerikane, i cili është publikuar në një tekst në të cilin shkruhet se asociacioni duhet të jetë një koordinim i kompetencave ekzistuese që kanë komunat. Për ne, etnonacionalizmi territorial është absolutisht i papranueshëm. Ky lloj nacionalizmi e ka të domosdoshëm shovinizmin dhe aparteidin, ai është në kundërshtim jo vetëm me shoqërinë qytetare, por madje edhe me nacionalizmin nacional-çlirimtar”, tha Kurti.

Ai e ka quajtur të padrejtë vendimin për të vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, ndërsa ndaj Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç u mbajt një qëndrim më i butë.

“Brukseli dhe Uashingtoni kanë vënë bast për kalin e gabuar në Serbi, në presidentin e atjeshëm. Në fund doli që nuk ishte fare kalë, por dhelpër. Askush as nuk e ka imagjinuar që një vit e pesë muaj pas agresionit rus në Ukrainë, Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës, por madje do të lejonte që Sputniku të mbante bazën rajonale në Beograd. Në vend të reflektimit dhe introspeksionit të tyre, ata më godasin mua. Brukseli dhe Uashingtoni e lejuan Vuçiçin që të mos e nënshkruante marrëveshjen nga Brukseli dhe Ohri, pastaj që ta shkelte atë marrëveshje dhe ja ku jemi në një situatë në të cilën ekziston asimetri drastike në qasje. Masa ndëshkuese ndaj meje, dhe nga ana tjetër falje për presidentin Vuçiç. Kjo është një padrejtësi”, tha ndër të tjera Kurti.

Ndërsa sa i takon de përshkallëzimit, tërheqjes së policisë dhe zgjedhjeve të parakohshme, ai tha se janë kushte që BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar dhe se Qeveria e tij po ju përgjigjet këtyre kërkesave.

Por unë nuk mund ta nxjerr menjëherë policinë nga ato ndërtesa sepse jashtë ekzistojnë elementë të ndryshëm ekstremë të krimit të organizuar dhe në të njëjtën kohë elemente të strukturave paralele ilegale të Serbisë. Prandaj i jam përgjigjur kërkesës së tyre duke ulur proporcionalisht dhe gradualisht numrin e policëve. Nga ana tjetër kam thënë se nuk mund të detyroj askënd të japë dorëheqje apo të largohet nga ndërtesat zyrtare që janë në fakt pronë e Republikës sonë, por ejani të bëjmë zgjedhje të parakohshme. Neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale thotë se është e mundur mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nëse 20% e elektoratit bëjnë peticion dhe më pas mbahet votimi. Nëse më shumë se 50% e votuesve votojnë kundër atij kryetari, praktikisht i merret mandati. Duhet të ecim ligjërisht drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme”, u shpreh ai.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare është e vetëdijshme se ka të bëjë me një Beograd zyrtar të ekstremit të djathtë, i cili në rotacion krijon probleme në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë - çdo muaj njërit prej fqinjëve i vjen radha.

Ai ka thënë se Kosova dëshiron drejtësi ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka frikë nga destabilizimi dhe sipas tij, këtu ka një hendek.

Ky hendek zgjatet me një hendek tjetër kur komuniteti ndërkombëtar ka pritshmëri të ulëta nga Vuçiçi në të tashmen, por megjithatë shpresa të mëdha në afat të mesëm. Prandaj, sa herë që Beogradi bën një gjest pozitiv, ata e zmadhojnë atë, sepse kanë pritshmëri jashtëzakonisht të ulëta. Në këtë kuptim, komuniteti ndërkombëtar, paradoksalisht, është më optimist për Vuçiçin sesa për veten! Sigurisht unë jam optimisti më i madh, por unë jam optimist për Kosovën, për BE-në dhe NATO-n, por jo kur është fjala për Vuçiçin”, tha ai.

Kreu i qeverisë së Kosovës tha se Beogradi po zhvillon luftë hibride kundër Kosovës. Sipas Kurtit, në Beograd shpeshherë dhe publikisht fantazojnë hakmarrjen e shqiptarëve ndaj serbëve në shekullin e 21-të, sepse sipas tij, e dinë shumë mirë se çfarë kanë bërë në Kosovë gjatë shekullit të 20-të.

Ne duam dhe qëndrojmë për drejtësi pa hakmarrje dhe kundër hakmarrjes. Serbët janë qytetarë të Kosovës me të drejta dhe nevoja njerëzore dhe qytetare. Unë jam kryeministër i të gjithë atyre që dëshirojnë dhe duhet t'u shërbej të gjithëve pa dallim. Për ministër kam Nenad Rashiqin, politikanin më të njohur serb në Kosovë. Vetëm atë e urren më shumë se mua pushteti në Serbi. Beogradi dëshiron që ata të vendosin se kush është serb dhe kush jo. Për shembull veturave të serbëve nga Kosova të cilët i kanë kthyer targat e tyre në RKS në shumë raste janë djegur, por asnjë fjalë nga Beogradi për këtë. Pra, nga këndvështrimi i Beogradit, ka serbë të mirë dhe të këqij. Ata që kanë kartën e anëtarësimit të partisë në pushtet janë të mirë, ndërsa të gjithë të tjerët të këqij”, tha ai.

Kurti ka thënë se ideja për ndarjen e Kosovës nuk ka vdekur. Ai u shpreh se para pesë vjetësh projekti i ndarjes së Kosovës ishte brenda dialogut dhe paqësor, “por sot është i dalë mendsh dhe i dhunshëm, sepse në dialog nuk mund të gjenin më interlokutor, pra bashkëbisedues, i cili do të diskutonte me qetësi për ndarjen”.

Unë tani dua normalizimin e marrëdhënieve në mënyrë evropiane duke zbatuar marrëveshjen me të 11 pikat, për të cilën vendosëm në Bruksel më 27 shkurt, dhe kjo është para së gjithash njohje reciproke de facto. Kjo marrëveshje u bë gjithashtu pjesë e konkluzioneve të Këshillit Evropian. Ne na duhet normalizimi dhe evropianizimi i marrëdhënieve me Serbinë, e cila si e tillë, për fat të keq, e reziston këtë fuqishëm. Fqinjësia e mirë do të thotë të gjithë në shtëpinë e tyre dhe të gjithë së bashku në lagjen evropiane. Por që nga dhjetori i vitit 2015, nuk ka pasur asnjë përparim në lidhje me kapitullin 35 në negociatat e Serbisë me Bashkimin Evropian dhe ai kapitull i referohet fqinjësisë së mirë të Serbisë me Kosovën”, tha Kurti. 

kurti shba be

Lini një Përgjigje