
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ka pasur presion të panevojshëm dhe të paligjshëm nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të marrë vendim lidhur me dekretimin e kryeprokurorit të shtetit, ndonëse sipas saj, ka qenë i njoftuar për arsyen pse deri më 17 tetor nuk është marrë vendimi përfundimtar.
Në një intervistë për “Tempus” të KTV-së, Osmani ka thënë se për këtë vendim ka marrë edhe kërcënime nga persona brenda sistemit prokurorial.
“Ka qenë e paprecedentë të bëhet vazhdimisht një presion i tillë, duke e ditur që e vetmja që Presidenca ka bërë është respektimi i parimeve të sigurisë juridike dhe i sundimit të ligjit, sepse po të ndërhyja unë përderisa rastet kanë qenë duke u shqyrtuar kjo do t’ua mohonte të drejtat themelore edhe kundërkandidatëve dhe do t’i cenonte këto të drejta. Ka qenë presion i panevojshëm dhe i paligjshëm sepse e kanë ditur arsyen pse kanë pritur derisa është marrë edhe vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese”, tha Osmani.
Lini një Përgjigje