TAGS-AT E JAVËS

Kosova17 Tetor 2023, 15:40

Macron bën prapa kthehu, qeveria franceze mohon pezullimin e liberalizimit të vizave për Kosovën

Shkruar nga Pamfleti

Macron bën prapa kthehu, qeveria franceze mohon pezullimin e liberalizimit

Zyra e presidentit të Francës Emmanuel Macron ka mohuar pezullimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Macron bëri një deklaratë që shkaktoi debat shumë të madh në Tiranë dhe Prishtinë. Nga fjalët e tij u kuptua sikur Franca është tërhequr nga liberalizimi i vizave për Kosovën, por në fakt nuk është ashtu.

Ka qenë Zyra e Presidencës në Francë e cila ka reaguar duke thënë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën mbetet ende një mundësi e hapur.

Në një përgjigje për mediat, zyra e Macron u shpreh se ky është një proces teknik, që duhet të diskutohet me partnerët evropianë.

“Presidenti ka folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se cilat ishin kërkesat tona. Në këtë kontekst dhe duke marrë parasysh bllokadën e Prishtinës, presidenti vlerësoi se çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur. Për më tepër, është një proces teknik dhe një diskutim që duhet bërë me partnerët tanë evropianë”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të Macron.

Në lidhje me deklaratën e Macron ka patur shumë reagime dhe kritika, situatë që mendohet të ketë detyruar presidentin të bëjë prapa kthehu e të sqarojë se deklarata në fjalë nuk ishte për pezullimin e vizave për Kosovën.

Por nuk përjashtohet mundësia që kjo deklaratë të jetë një gabim i përkthyeses e cila shkaktoi tronditje në politikën e Kosovës. Kjo pasi përkthyesja e ka përcjellë deklaratën e Macron si pezullim i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Megjithatë, Radio Evropa e Lirë në përkthimin e saj e ka sqaruar se Macron nuk ka folur për pezullim. Por, për mbajtje të fjalës së dhënë.

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete Kosova dhe Serbia që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron sipas artikullit të REL.

Ndërsa, përkthyesja në Shqipëri tha komplet një qasje tjetër. Sipas citatit të publikuar, thuhet se Macron ka deklaruar që vizat për Kosovën janë pezulluar nga ana e Francës, pasi Kosovës iu besuan për çështjen e vizave, por “fjala nuk është mbajtur”.

“Ajo që presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtë, riorganizimin e zgjedhjeve në këto komunat ku këto u bënë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, njohjen e asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Pres që presidenti Vuçiç dhe presidentja dhe kryeministri i Kosovës, të jenë të përgjegjshëm. Ne u kemi besuar për çështjen e vizave dhe u pezullua nga ana e Francës se ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk është mbajtur. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecim përpara në javët e ardhshme, është kushti i paqes në të gjithë zonën”, citohet se ka thënë ai në një konferencë të përbashkët me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

macron qeveria franceze liberalizimit të vizave për kosovën

Lini një Përgjigje