
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën 15 prill për mbajtjen e seancës konstituive të përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit. Presidentja kishte afat që brenda 30 ditësh të shpallte datën për mbajtjen e seancës. Në të kundërtën, sipas Rregullores të punës së Kuvendit të Kosovës, Parlamenti do të mblidhej vetë në ditën e 30-të.
Seanca konstituive përgatitet nga kryetari i legjislaturës së mëparshme, i cili pesë ditë para mbajtjes së seancës duhet të thërrasë në mbledhje kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për të përgatitur një rend dite.
Rendi i ditës duhet të përfshijë formimin e një komisioni të përkohshëm që bën verifikimin e kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve të rinj, zgjedhjen e kryetarit të kuvendit dhe nënkryetarëve, votimin e raportit të komisionit të lartpërmendur dhe përcaktimin e vendeve të deputetëve në sallë, sipas fuqisë politike.
Seanca konstituive kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë. Ligjet nuk parashohin që gjatë seancës nuk mund të ketë debat.
Në këtë seancë deputetët bëjnë betimin – ata që mungojnë mund ta bëjnë në seancën pasuese – dhe partia e parë, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Nënkryetarët, ndërkaq, propozohen nga një nga partitë më të mëdha dhe nga komunitetet joshumicë dhe komuniteti serb. Seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Sipas rezultateve, në përbërjen e re parlamentare Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 48 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 24, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Lista Serbe nëntë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate tetë vende.
Shpërndarja e ulëseve në Kuvend nënkupton se asnjë parti nuk mund të formojë e vetme Qeverinë, që është hapi pasues pas mbajtjes së seancës konstituive. Kështu që parti e Kurtit do të detyrohet të futet në koalicion për të krijuar qeverinë.
Lini një Përgjigje