TAGS-AT E JAVËS

Kosova 1 Qershor 2023, 20:00

Macron dhe Scholz ulin në takim Osmanin dhe Vuçiçin, Kosova drejt zgjedhjeve të reja në Veri

Shkruar nga Pamfleti

Macron dhe Scholz ulin në takim Osmanin dhe Vuçiçin, Kosova

Gjermania dhe Franca kanë marrë në dorë situatën e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë. Në veri prej afro një jave ka pasur protesta të dhunshme dhe nuk ka tërheqje nga asnjëra palë.

Por duket se zgjidhjen e kanë gjetur presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz. Ata kanë kërkuar të mbahen zgjedhje të reja në Veri, me qëllim që situata të shtensionohet. Sot ata patën takime me presidenten Osmani dhe liderin serb Vuçiç në Samitin e Moldavisë, ku kanë shprehur qëndrimet e tyre për të shkuar në zgjedhje. Mësohet se falë këmbënguljes së tyre ka pasur dhe një takim të shkurtër mes Osmanit dhe Vuçiçit. 

Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron, i cili shtoi se u kërkua që të qartësohen edhe rregullat për zgjedhje.

Ai tha se gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në veri të Kosovës dhe se për këtë gjë u ra dakord në takimet me Vuçiçin dhe Osmanin.

Kërkesa e tyre është konfirmuar edhe nga presidentja Vjosa Osmani, e cila ka dhënë sinjale se Prishtina është gati të mbajë zgjedhje të reja. Kjo do të thotë se mund të jemi drejt fundit të krizës në Veri. “Ata kërkuan nga Kosova që të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri që do tu jepte qytetarëve serbë mundësinë që të marrin pjesë dhe të zgjedhin kryetarë me legjitimitet më të madh. Unë thashë që jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë mundësi”, tha Osmani.

Po ashtu Osmani konfirmoi takimin me Vuçiçin. Osmani tha se gjatë takimit ishin të pranishëm edhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell. Presidentja theksoi se edhe njëherë u dëshmua se Vuçiç nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe.

Në fund të takimit me Macron dhe Scholz, ata propozuan që të kishte edhe një diskutim joformal me presidentin e Serbisë, natyrisht në takim ishte edhe përfaqësuesit i Lartë i BE-së, Josep Borrell. E kishim një takim të përbashkët diku 10 minuta, ku edhe njëherë u dëshmua se Vuçiç nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe, por në fakt është burimi kryesor i jostabilitetit në gjithë rajonin tonë”, u shpreh ajo.

Osmani tha se organizimi i zgjedhjeve të reja parashikohet me ligj dhe kjo mund të bëhet përmes një peticioni që mund ta iniciojnë qytetarët serbë të komunave veriore.

Kjo nënkupton që qytetarët serbë, pra rreth 20 për qind prej tyre që janë në listën votuese mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim ligjin”, deklaroi presidentja Osmani.

Një ditë më parë ishte kryeministri Albin Kurti, i cili dha sinjale se është gati të mbajë zgjedhje të reja në veri të Kosovës. “Nëse do të kishte protestë paqësore për zgjedhje të parakohshme, do të kishte mirëkuptimin tim, por jo turmat me shkronjën Z [një simbol pro-rus] që qëllojnë kundër ushtarëve dhe policëve, granata, duke thirrur 'vrit, vrit'. Kësaj turme fashiste, ne nuk ia dorëzojmë republikën tonë demokratike. Nëse duan protesta paqësore që kërkojnë zgjedhje të parakohshme, ata kanë një kryeministër që është më se i gatshëm t'i dëgjojë dhe ndoshta pajtohet me ta”, tha ai.

macron scholz kosova serbia

Lini një Përgjigje