
Një situatë e rënduar trafiku është regjistruar këtë të hënë në aksin Bardhoc–Vermicë të rrugës Morinë–Kukës, ku dhjetëra kamionë të nisur nga Shqipëria drejt Kosovës kanë krijuar radhë kilometrike. Kamionët, të cilët presin të hyjnë në territorin kosovar përmes pikës doganore të Vermicës, janë parkuar në dy rreshta përgjatë rrugës.
Shkak i vonesave u bë masa e Ministrisë së Mjedisit dhe Transportit të Kosovës, që gjatë 15 ditëve të fundit të korrikut ka ndaluar qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë në autostrada dhe rrugë rajonale nga ora 11:00 deri në 17:00, për shkak të temperaturave ekstreme. Edhe pse kufizimi përfundoi në orarin e përcaktuar, pritjet vazhduan për shkak të pamundësisë së autoriteteve doganore për të përballuar fluksin e lartë të mjeteve.
Radha e kamionëve fillonte që nga fshati Bardhoc dhe zgjatej deri në pikën kufitare të Vermicës. Sot ishte dita e fundit e kësaj mase, e cila kishte hyrë në fuqi për të mbrojtur infrastrukturën rrugore dhe sigurinë e qarkullimit gjatë ditëve me temperatura mbi 35°C.
Lini një Përgjigje