TAGS-AT E JAVËS

Kosova26 Korrik 2025, 22:43

Dështon konstituimi i Kuvendit, Kosova mbetet pa qeveri dhe zhytet në ngërç të thellë politik; sytë nga Kushtetuesja!

Shkruar nga Pamfleti

Dështon konstituimi i Kuvendit, Kosova mbetet pa qeveri dhe zhytet në

Nga nesër hyn në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese, e cila ndalon deputetët të marrin vendime apo ndërmarrin veprime pas kalimit të afatit 30-ditor për konstituim...

Tentativa e 54-t për konstituimin e Kuvendit, e mbajtur në orën 22:00, dështoi sërish. Pavarësisht se 103 deputetë ishin të pranishëm në Parlament, prapë nuk kaloi votimi për formimin e komisionit të fshehtë parlamentar për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Nga nesër hyn në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese, e cila ndalon deputetët të marrin vendime apo ndërmarrin veprime pas kalimit të afatit 30-ditor për konstituim, të përcaktuar me aktgjykimin e 26 qershorit. Kjo ndalesë do të jetë në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht. Gjatë kësaj periudhe pritet një vendim i Kushtetueses për ngërçin politik.

Senca nisi me përplasje mes deputetes së PDK-së, Vlora Çitaku dhe asaj të LDK-së, Hykmete Bajrami, me kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari . 

Çitaku nisi fjalën e saj me kritika ndërsa Dehari kërkoi t’i ndalej fjala pasi seanca nuk parashikonte debate. Njëjtë veproi edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Kjo e fundit pati debat të ashpër me deputetë të Vetëvendosjes, teksa dëgjohej duke ju thënë: “jeni frikacakë”. 

Në fund kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, tha se ka bërë të gjitha përpjekjet për të gjetur zgjidhje brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Kushtuesja në aktgjykimin e 26 qershorit. Më tej ai shtoi se meqë s’ka zgjidhje, seancat do të ndërpriten deri në një vendim të Kushtetueses. 

“Deri në një vendim tjetër apo vendim përfundimtar të Kushtetueses, do ta ndërpresë seancën”, u shpreh Dehari. 

Çfarë ndodh tani? 

Pa një Kuvend të konstituuar, Kosova nuk mund të formojë një qeveri të re, duke lënë institucionet kryesore, përfshirë qeverinë dhe presidencën, me kompetenca të kufizuara. Kjo situatë pengon miratimin e ligjeve, buxhetit të shtetit dhe vendimeve të rëndësishme për funksionimin e vendit. 

Situata mbetet në duart e Kushtetueses. Gjykata Kushtetuese mund të shpallë zgjedhje të reja të parakohshme. Kjo do të zgjasë krizën politike dhe do të rriste pasiguritë ekonomike dhe sociale në Kosovë. Në ditët në vijim mbetet për t'u parë se çfarë hapash do të ndjekë Kushtetuesja. 

Lini një Përgjigje