TAGS-AT E JAVËS

Kosova26 Korrik 2025, 22:28

Tentativa e fundit/ Pesimizëm mbi konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Limaj: Fatkeqësisht nuk ka marrëveshje

Shkruar nga Pamfleti

Tentativa e fundit/ Pesimizëm mbi konstituimin e Kuvendit të

Kuvendi i Kosovës është mbledhur sërish sonte në orën 22:00 për tentimin e 54-t për konstituim. Kjo ndodh në kohën kur Gjykata Kushtetuese, përmes një mase të përkohshme, ua ka ndaluar deputetëve çdo vendim dhe veprim pas kalimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të përcaktuar në aktgjykimin e 26 qershorit.

Situata mbetet e paqartë, pesimizmi qarkullon ngado para godinës së Kuvendit të Kosovës. Pavarësisht se ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është përgjigjur me “po” kur u pyet se a do të konstituohet Kuvendi në seancën e sontme realiteti duket ndryshe.

Deputeti i VV, Arbër Rexhaj, ka thënë se kjo zvarritje që është bërë për konstituimin e Kuvendit, është e padrejtë ndaj qytetarëve. Ai ka fajësuar partitë në opozitë, duke thënë se ideja e tyre ka qenë që nga fillimi që ta bllokojë procesin. 

“Ne kemi ardhur këtu për të votuar dhe ta ushtrojmë detyrën tonë me përgjegjësi si deputetë, tani nëse më pyesni se a ka ndonjë të re, jemi në mbledhje të grupit parlamentar dhe do ta diskutojmë, unë po flas për detyrat e mia si deputet, mendoj se ky prolongim që është bërë mendoj se është e padrejtë që i kemi bërë qytetarëve. Në thelb, prej fillimit ka ekzistuar ideja e opozitës që ta bllokojë Kuvendin, e mbani në mend kur ata kanë refuzuar t’i votojnë edhe mandatet e veta”, tha ai.

Nga ana tjetër kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se edhe në seancën e sontme nuk pritet të ketë rezultat tjetër, pasi nuk ka marrëveshje të tij me kryertarin e LVV-së, Albin Kurti.

“Fatkeqësisht nuk ka marrëveshje”, u shpreh Limaj, duke shtuar se tani duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa për takimin me presidenten Vjosa Osmani pas përpjekjes së 53-të, ai ka thënë se nuk ndodhi asgjë.

“Me presidenten kemi pasur takim dhe thjesht kemi shkëmbyer mendimet pas seancës. Presidentja u interesua për zhvillimet, nuk ka asgjë më tepër”, shtoi ai.

Ndërkohë që deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka deklaruar se kanë dëgjuar për presion ndaj deputetëve të komuniteteve minoritare joserbe në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit në përpjekjen e 54-t që do të mbahet në orën 22:00.

“Ka presion te deputetë, sidomos te grupet minoritare. Këtë e kemi dëgjuar nga kolegët tanë të komuniteteve joserbe, të cilët thonë se po u bëhet presion që të japin votën shtesë në bazë të interesave dhe kërkesave që kanë paraqitur. Kjo nuk i kontribuon as demokracisë dhe as stabilitetit institucional”, tha Zemaj para hyrjes në Kuvend.

Lini një Përgjigje