
Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet nesër (e enjte) në orën 12:00.
Njoftimi u bë nga zyra e shtypit e Kuvendit të Kosovës dhe vjen pas ultimatumit të presidentes Vjosa Osmani se seanca duhet të mbahet brenda 48 orëve.
“…Funksionalizimi i institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve është obligim kushtetues i çdo institucioni dhe çdo personi të mveshur me autoritet publik. Në rastin konkret, ky është obligim i juaji si kryesues i seancës konstituive si dhe i të gjithë deputetëve të zgjedhur në Legjislaturën e Nëntë të Kuvendit. Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë orëve nga ndërprerja e saj”, thuhet në përgjigjen e Osmanit për kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari.
Dehari i ishte drejtuar Osmanit të mërkurën me një kërkesë për të sqaruar se si të veprohej pas ndërprerjes së seancës konstituive të martën.
Një ditë më parë, (e martë) Kuvendi dështoi t’i verifikonte mandatet e deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Opozita e deritashme tha se votoi kundër me pretekstin se kryeministri dhe ministrat, duan të marrin post të deputetit “ende pa dhënë dorëheqje”.
Lini një Përgjigje