
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja i kanë vënë “kufirin te thana” kryeministrit Albin Kurti. Gabriel Escobar e ka bërë të qartë se ata presin që nesër te ketë një marrëveshje për qetësimin e situatës në Veri.
Amerikani Escobar tha sot gjatë një takimi me gazetarë që nëse Kurti nuk i pranon 3 kushtet që i vunë dje në tryezë, atëherë i bie që ai nuk dëshiron bashkëpunim me SHBA-në dhe BE-në dhe se kjo, gjithnjë sipas tij, nuk mund të kalojë pa pasoja.
Teksa ka folur për pasojat, Escobar ka thënë se ato nuk janë të drejtuara ndaj popullit të Kosovës, pasi sipas tij, Amerika ka marrëdhënie të shkëlqyera me kosovarët. Për më tepër, ai ka shtuar se çfarëdo që qeveria e shtetit të tij ka me kryeministrin Albin Kurti, nuk do të prekë popullin.
“Shpresoj se njerëzit e kuptojnë se çfarëdo vështirësi që i kemi me kryeministrin Kurti nuk e afektojnë këtë sentiment. Por i kemi disa sfida në raportet bilaterale derisa po merremi me Kryeministrin Kurti. Dua të jem shumë i sinqertë SHBA ka qenë përkrahësi juaj më i madh dhe më dhemb që shoh se njerëzit mendoj se disi po e çojmë raportin tonë me Kosovën për përfitime të Serbisë. Dua t’ju rikujtoj Serbia ka qenë kundër pavarësisë tuaj më 2008 dhe ne shkuam përpara, ata ishin kundër fushatës për njohje dhe ne ecëm tutje, ata ishin kundër Këshillit të Evropës dhe ne ecëm tutje, ata ishin kundër zgjedhjeve dhe rezultateve dhe ne thamë se ato ishin të drejta dhe të lira,” ka thënë Escobar.
Ai shtoi se ka politikanë që duan ta mbajnë gjallë konfliktin e Kosovës me aleatët e saj, sepse kjo sipas tij, i mban në pushtet dhe i bënë të pasur. Escobar shtoi se SHBA dhe BE-ja nuk do të rrinë duke pritur përgjithmonë asnjë individ që nuk bashkëpunon dhe se Uashingtoni gjithmonë do të jetë me popullin e Kosovës.
I dërguari amerikan për dialogun deklaroi se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të prezantohet menjëherë nga qeveria.
Po ashtu ai shtoi se Aleksandar Vuciç nuk mund të ketë të drejtë vetoje se kur mbahen zgjedhjet për katër komunat në veri të Kosovës ndërsa shtoi se kjo dritare i mbyllet nëse Kosova bashkëpunon duke e themeluar Asociacionin.
Lini një Përgjigje