Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se në veri të vendit sot është arrestuar personi që ka kërcënuar nënkryetaren e Komunës së Leposaviçit, Dragana Miletiç.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Sveçla shkruan se koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund.
“Pardje është ndaluar kontrabanda me mallra, dje është konfiskuar vetura në kërkim ndërkombëtar, sot është arrestuar personi që ka kërcënuar nënkryetaren e Komunës së Leposaviqit, Dragana Miletiç. Të gjitha këto në veri të vendit. Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se tensionet në veri të Kosovës, u përshkallëzuan sërish pas mbajtjes së zgjedhjeve në 4 komunat në veri të Kosovës. Duke qenë se Lista Serbe bojkotoi zgjedhjet, ndërkombëtarët shprehën keqardhje, por nuk ndaluan qeverinë e Kosovës të mos zhvillonte zgjedhjet. Veriu i Kosovës zhvilloi zgjedhjet por edhe qytetarët nuk votuan, pavarësisht pjesëmarrjes së ulët, në 4 komunat në veri të Kosovës dy partitë e mëdha shqiptare në Kosovë, PDK dhe LVV ndanë pushtetet duke fituar secila nga 2 komuna. Nga ana e ndërkombëtarëve pati keqardhje për mos marrjen pjesë në zgjedhje, megjithatë nuk i cilësuan si antikushtetuese. Ka qenë kjo retorikë e ndërkombëtarëve, pra SHBA dhe BE-së ajo që në fakt ka nxitur edhe tensionet. Duke mos marrë një sinjal alerti për zgjedhjet në veri, Kurti i sheh po ashtu si të ligjshme, nga ana tjetër serbët në veri të Kosovës nisën protestat që prej datës 26 maj. Forcat speciale dhe policia e Kosovës kanë qenë në zonë për të mbrojtur 4 kryetarët shqiptarë, të cilët nuk i lënë të shkojnë në zyrë. Ndër të tjera, Lista Serbë ka dhënë dy kushte për të marrë pjesë në zgjedhje: Të largohen forcat speciale dhe policia e Kosovës dhe të formohet Asociacioni i komunave serbe në veri të Kosovës.
Lini një Përgjigje