TAGS-AT E JAVËS

Kosova 5 Shkurt 2026, 18:19

Dokument nga SHBA-ja për Kosovën dhe Serbinë? Serwer pesimist: Ballkani është shumë poshtë në listën e prioriteteve të Uashingtonit

Shkruar nga Pamfleti

Dokument nga SHBA-ja për Kosovën dhe Serbinë? Serwer pesimist:

Analisti serb, Dushan Janjiç, ka deklaruar se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatitet një dokument lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, informacioni vjen nga burime të afërta me qarqe politike dhe ekspertë amerikanë.

Janjiç ka theksuar se bëhet fjalë për një dokument jozyrtar, të ngjashëm me atë që njihet si “non-paper”, i cili, sipas tij, mund të shërbejë si bazë për dialogun e ardhshëm. Ai ka përmendur gjithashtu se Kongresi amerikan ka miratuar një ligj për Ballkanin Perëndimor, i cili, sipas interpretimit të tij, nënvizon domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe nga Janjiç, profesori amerikan Daniel Serwer shprehet skeptik për pretendimet lidhur me përgatitjen e një dokumenti zyrtar nga Administrata amerikane. Serwer thekson se në parim kushdo mund të hartojë një dokument për çfarëdo çështjeje, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai përfaqëson politikë zyrtare të Uashingtonit.

“Kushdo mund të përgatisë një punim për çdo gjë. Dushani ndoshta e di më mirë se unë. Nuk shoh shumë shpresë për dialogun Beograd-Prishtinë në rrethanat dhe udhëheqjen aktuale”, tha Serwer për Gazetën Express.

Ai shpreh mungesë optimizmi për një angazhim të ri serioz të SHBA-së në dialogun Beograd–Prishtinë, duke përmendur rrethanat politike aktuale dhe mënyrën e udhëheqjes në Uashington.

Do të isha i lumtur të befasohem. Por kini kujdes se çfarë dëshironi. Administrata aktuale e SHBA-së duket më e interesuar në projektimin e pushtetit sesa në dialog”, shprehet profesori i John Hopkins University.

Serwer u bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të tregojnë kujdes lidhur me pritshmëritë nga Administrata aktuale amerikane. Sipas tij, kjo administratë duket më e fokusuar në projektimin e fuqisë politike sesa në ndërmjetësimin e dialogut. Ai shton se do të ishte i kënaqur nëse do të befasohej pozitivisht, por nuk sheh sinjale konkrete për një angazhim të tillë.

Sipas profesorit të Universitetit Johns Hopkins, Ballkani Perëndimor renditet shumë poshtë në listën e prioriteteve aktuale të Uashingtonit. Ai thekson se rajoni përmendet kryesisht në kontekste deklarative, përfshirë pretendime për ndaljen e konflikteve, të cilat, sipas tij, nuk kanë ndodhur realisht.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor është shumë poshtë në listën e prioriteteve të Uashingtonit këto ditë. Rajoni përmendet vetëm kur Presidenti dëshiron të mburret për përfundimin e një lufte që nuk ndodhi”, ka përfunduar Serwer.

Ndërsa Janjiç insiston në ekzistencën e një dokumenti në përgatitje, nuk ka konfirmim zyrtar nga institucionet amerikane për një iniciativë të tillë. Deklaratat e Serwer sugjerojnë se, të paktën për momentin, nuk ka indikacione të qarta për një angazhim të ri strategjik të SHBA-së në dialogun Kosovë–Serbi.

serwer kosova serbia

Lini një Përgjigje