TAGS-AT E JAVËS

Kosova 5 Shkurt 2026, 13:00

Kurti: Kosova e hapur për investime serioze

Shkruar nga Pamfleti
Kurti: Kosova e hapur për investime serioze
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore dhe e hapur për investime serioze, duke theksuar se vendi po zgjeron vazhdimisht bashkëpunimin tregtar me Evropën, rajonin dhe tregje të tjera.

Gjatë fjalimit të mbajtur në ditën e biznesit francez, Kurti u shpreh se Kosova tashmë gëzon stabilitet institucional, të cilin e cilësoi si një element thelbësor për zhvillimin e biznesit dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

“Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore, e hapur për investime serioze dhe po zgjeron mundësitë tregtare me Evropën, rajonin dhe më gjerë. Republika e Kosovës është një shtet i pavarur dhe i konsoliduar, me orientim të qartë evropian dhe me stabilitet institucional, i cili është thelbësor për bizneset, sepse ofron siguri publike, parashikueshmëri dhe disiplinë të fortë fiskale”, deklaroi Kurti.

Ai u ndal edhe te ulja e burokracisë, duke e cilësuar atë si një nga prioritetet kryesore të qeverisë për përmirësimin e klimës së të bërit biznes.

“Si kryeministër rrallëherë marr duartrokitje për uljen e burokracisë, por kam vërejtur se sipërmarrësit reagojnë me veprime: kur proceset janë të thjeshta, ata kthehen; kur janë të komplikuara, dërgojnë avokatët. Përtej humorit, ky është thelbi i reformave tona”, tha ai.

Sipas Kurtit, synimi i Qeverisë është ta bëjë të bërit biznes në Kosovë më të lehtë, më transparent dhe më të shpejtë, në mënyrë që kompanitë të përqendrohen në ndërtim, prodhim dhe eksport. Ai shtoi se Kosova është e pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur kërkesave të kompanive evropiane për besueshmëri, zinxhirë më të shkurtër furnizimi dhe partnerë të qëndrueshëm.

Nga ana tjetër, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, vlerësoi interesin e kompanive franceze për Kosovën, duke e cilësuar atë si dëshmi të atraktivitetit të vendit për investime.

“Dy konstatime imponohen shumë qartë: së pari, marrja e këtij rreziku ishte një zgjedhje e mirë, dhe së dyti, Kosova është një vend tërheqës për kompanitë franceze”, u shpreh Guérot, duke falënderuar bizneset franceze që po investojnë dhe po e zbulojnë Kosovën.

Ai theksoi se Kosova është një vend me energji, rini dhe dëshirë për të ndërmarrë, duke shtuar se transformimi dhe modernizimi i vendit janë të dukshme.

Ambasadori francez nënvizoi gjithashtu se marrëdhëniet mes Francës dhe Kosovës janë shumë pozitive dhe të qëndrueshme, të mbështetura në lidhje të forta njerëzore, veçanërisht përmes diasporës, si dhe në bashkëpunim kulturor.

 

Lini një Përgjigje