
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar ankesën e Listës Serbe dhe ka vendosur ndryshimin e vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), duke aprovuar rezultatin përfundimtar të kandidatëve të këtij subjekti politik në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Vendimi është marrë pasi PZAP ka vlerësuar se KQZ-ja nuk ka ofruar arsyetim të mjaftueshëm ligjor për refuzimin e certifikimit të rezultateve të Listës Serbe. Sipas Panelit, vendimi i KQZ-së ka qenë i mangët dhe nuk ka trajtuar çështjet thelbësore dhe faktet vendimtare që lidhen me kushtet ligjore për shpalljen e rezultateve përfundimtare.
“Nga shqyrtimi i vendimit të ankimuar, PZAP konstaton se KQZ nuk ka ofruar asnjë arsyetim ligjor për refuzimin e shpalljes së rezultatit përfundimtar për subjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e saj. Vendimi është i paplotë dhe nuk përmban vlerësim të duhur të fakteve në raport me dispozitat ligjore”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Në bazë të këtyre gjetjeve, Paneli i gjyqtarëve ka vendosur ta ndryshojë vendimin e KQZ-së dhe të shpallë rezultatin përfundimtar për Listën Serbe, subjekt politik që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë dhe që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Sipas PZAP-së, ky vendim siguron respektimin e procedurave ligjore dhe garanton një proces të drejtë dhe të barabartë zgjedhor.
Ndërkohë, PZAP ka refuzuar gjashtë ankesa të tjera, përfshirë atë të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, e cila kishte të bënte me rreth 23 mijë pako me fletëvotime të ardhura nga jashtë. Po ashtu janë refuzuar ankesat e tri subjekteve politike të komuniteteve joshumicë: NDS, PAI-PDAK-LPB dhe Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës.
Moscertifikimi fillestar i rezultateve të Listës Serbe kishte nxitur reagime edhe nga faktori ndërkombëtar. Pas Shteteve të Bashkuara, edhe Bashkimi Evropian dhe organizata si OSBE-ja shprehën shqetësim lidhur me këtë çështje.
Lini një Përgjigje