Dy ditë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Lista Serbe ka dorëzuar një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër vendimit të KQZ-së për mosmiratimin e listës së kandidatëve të saj.
Igor Simiq, përfaqësues i Listës Serbe, e ka cilësuar vendimin si “të paligjshëm dhe diskriminues”, duke theksuar se janë mohuar 42.759 vota të serbëve.
Ai tha se presin që PZAP-ja të shfuqizojë vendimin dhe të sigurojë respektimin e të drejtave të komunitetit serb dhe ligjshmërinë e procesit zgjedhor.
Ndërkohë, misioni i OSBE-së në Kosovë ka njoftuar se po e monitoron me vëmendje situatën në vend.
OSBE ka konfirmuar se Lista Serbe ka paraqitur një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe tani po pret një përgjigje lidhur me këtë vendim të KQZ-së.
“Misioni thekson nevojën për respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare zgjedhore, në veçanti publikimin transparent dhe gjithëpërfshirës të rezultateve zgjedhore, si një mjet për të siguruar siguri juridike dhe trajtim të barabartë për të gjithë garuesit zgjedhorë”, thuhet në reagimin e OSBE-së.
OSBE-ja thotë se “do të vazhdojë t’i monitorojë nga afër zhvillimet”.
Lini një Përgjigje