
Tre automjete në pronësi të serbëve me targa RKS, janë djegur pasditen e sotme në veri të Kosovës, ndërkohë që policia e Kosovës ka arrestuar një qytetarë serb si të dyshuar për aktin.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili duke dhënë detaje për serbin e arrestuar në veri për djegien e automjeteve, tha se kushdo individ apo pjesë e grupeve kriminale të dirigjuara nga Beogradi, që kryen akte kriminale me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, do të identifikohet dhe sillet para drejtësisë.
Sveçla ka shkruar në Facebook se djegia e veturave në veri e orkestruar nga Beogradi me qëllim të shkaktimit të frikës tek qytetarët është pa dyshim akt i rëndë kriminal.
“Siç edhe kemi thënë sa herë kanë ndodhur akte të tilla, njësitet relevante policore kanë qenë të angazhuara në identifikimin e kriminelëve që kanë kryer akte të tilla. Njëri nga ta sot është arrestuar dhe i cili përveç që ka qenë i përfshirë në djegien e veturave në veri, si pjesë aktive e strukturës kriminale të të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”, më parë ai kishte sulmuar me armë Policinë e Kosovës duke i plagosur dy zyrtarë të saj. Po ashtu organet e sigurisë kanë dëshmi për përfshirjen e tij në sulme ndaj infrastrukturës kritike të republikës. Në kuptim të kësaj, shtetasi serb i arrestuar sot akuzohet për “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”. Secili që si individ apo si pjesë e grupeve kriminale të dirigjuara nga Beogradi ka kryer çdo lloj akti kriminal me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, do të identifikohet dhe sillet para drejtësisë”, ka shkruar ai.
Lini një Përgjigje