Ilir Alimehmeti deklaroi se, deri në këtë fazë, nuk ka një kandidaturë tjetër të shpallur për drejtimin e Partisë Demokratike, përveç asaj të Sali Berishës.
Sipas tij, deri më sot askush tjetër nuk ka paraqitur publikisht ambicie për garën, as vizion apo platformë për drejtimin e partisë. Ai tha se, nëse do të shfaqet një emër tjetër, kjo mbetet për t’u parë në vijim.
Alimehmeti sqaroi edhe mënyrën si do të zhvillohet procesi brenda PD-së. Ai theksoi se Kuvendi i 6 qershorit do të zgjedhë Këshillin Kombëtar dhe se më pas ky forum do të përcaktojë strukturat e tjera drejtuese, përfshirë Kryesinë, nënkryetarët dhe sekretariatet.
“Kryetari patjetër që është organi më i rëndësishëm ndoshta i Partisë Demokratike. Partia në vetvete vendoset dhe fillon nga data 6 qershor sepse Kuvendi cakton Këshillin. Këshilli pastaj cakton Kryesinë, nënkryetarët, sekretariatet, të gjithë pjesën organizative. Unë s'e di të ketë kandidatura që deri sot të jenë shpallur, të kenë shpallur ambicie, të kenë shpallur një vizion, një platformë përveç asaj të doktor Sali Berishës. S'di të ketë tjetër. Nëqoftëse ka tjetër, do ta presim të na shfaqet.
Kuvendi është në datë 6 qershor, aty zgjidhet Këshilli Kombëtar dhe nga ky moment të gjitha instancat e kupolës së Partisë Demokratike zgjidhen nga Këshilli Kombëtar. Bazuar mbi statutin, është anticipuar se do të ketë dhe disa ndryshime statutore. Nuk e dimë cilat ndryshime janë ato. Është diskutuar që ka një grup pune për t'i parë këto ndryshime të mundshme të statutit. Do t'i presim se cilat janë, sepse sot jemi deri në këtë njoftim. Doja data të tjera, më herët. Vera vështirëson punën politike. Por, datat janë të caktuara. Vendimet statutore, nëse do ketë, do presim të shohim se kush do propozohet nga grupi i punës. Vetëm grupi i punës di që ka dalë. Jo se çfarë vendimesh do marrin ata”, u shpreh Alimehmeti.
Lini një Përgjigje