TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Mars 2026, 18:42

PD paralajmëroi bojkot të seancës së nesërme plenare, Balla: Ai që ju ka urdhëruar nuk ua dashka të mirën, uroj të reflektoni!

Shkruar nga Pamfleti
PD paralajmëroi bojkot të seancës së nesërme plenare,
Taulant Balla

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk do marrë pjesë në seancën plenare të së martës, duke e cilësuar atë të paligjshme dhe të thirrur në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. Qëndrimi është bërë publik nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

Lidhur me këtë ka reaguar kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, i cili shprehet se uron që të reflektojnë deri nesër.

“Kush ju ka urdhëruar të bojkotoni nesër seancën, nuk jua dashka të mirën ju dhe Shqipërisë.”-shkruan Balla, teksa sqaron se seanca është në përputhje me Rregulloren.

“Keqardhje për njoftimin se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do ta bojkotojë seancën e nesërme të Kuvendit të Shqipërisë, me pretekstin se në këtë seancë është propozuar nga ne një projekt-rezolutë për “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”.

Sipas tyre nevoja e menjëhershme e një qëndrimi të Shqipërisë përkrah SHBA ndaj veprimeve terroriste të Iranit, qenka një agjendë personale. Seriozisht e mendoni këtë, apo ta kuptojmë si një lapsus?! Sonte mund t’ju them se sqarimet se pse kjo Rezolutë është urgjente do t’i japim nesër në Konferencën e Kryetarëve dhe urojmë që deri nesër keni ende kohë të reflektoni.

Gjithashtu qenka thënë se seanca është thirrur në kundërshtim me Rregulloren. Gënjeshtër! Seanca e nesërme, ditën e Martë 17 Mars 2026, është propozuar në Konferencën e Kryetarëve të datës 18 Shkurt 2026 dhe miratuar me vendim të Seancës Plenare, pra një muaj më parë (referojuni proces-verbalit të Mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, të cilat janë publike). Kush ju ka urdhëruar të bojkotoni nesër seancën, nuk jua dashka të mirën ju dhe Shqipërisë. Gëzuar Natën e Kadrit”-shkruan Balla.

taulant balla

Lini një Përgjigje