
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, u bëri thirrje qytetarëve për një reagim të fortë ndaj situatës politike në vend.
Berisha akuzoi qeverinë se gjatë muajve të fundit ka ndërmarrë hapa për të përqendruar pushtetin, duke dobësuar institucionet kryesore të shtetit.
“Asgjësimi i Parlamentit dhe i drejtësisë janë hapa që janë ndërmarrë gjatë këtyre muajve për të përqendruar të gjithë pushtetin në duart e tij. Sot kërkohet reagim me të gjitha mundësitë”, deklaroi ai.
Kryedemokrati u kërkoi deputetëve të opozitës që të intensifikojnë komunikimin me qytetarët, pavarësisht bindjeve politike të tyre. Thirrja e Berishës për dialog me qytetarët është një retorikë që më herët është përdorur edhe nga kryeministri Edi Rama.
“Opozita duhet të angazhohet në dialog intensiv me zgjedhësit e saj, ata që e kanë votuar dhe ata që nuk e kanë votuar. Angazhimi qytetar dhe përgjegjësia e tyre ndaj kësaj gjendjeje dramatike është rrugëzgjidhja e vetme”, tha Berisha.
Sipas Berishës, nuk ka asnjë arsye që qytetarët të mos reagojnë ndaj qeverisë aktuale.
“Nuk besoj se mund të ketë shqiptar që të gjejë motive për të mos u ngritur në revoltë kundër kësaj qeverie, kundër Ramës që i mbylli për interesa personale derën Europës”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së shtoi se zhvillimet politike në Shqipëri janë të paprecedenta krahasuar me përvojën e vendeve të tjera ish-komuniste në raport me Bashkimin Europian.
Lini një Përgjigje