Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, duke deklaruar se ai, sipas tij, sillet në Bruksel si ambasador i kryeministrit Edi Rama.
Gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së PD, Berisha e akuzoi diplomatin europian se po përpiqet të shtrembërojë qëndrimet e Partisë Demokratike lidhur me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Sipas Berishës, Partia Demokratike ka qenë forca politike që ka firmosur të gjitha marrëveshjet kryesore në rrugën e integrimit, ka marrë rekomandimin për statusin e vendit kandidat dhe ka avancuar procesin në çdo marrëveshje tjetër, me përjashtim të hapjes së negociatave. Ai theksoi se PD ka qenë dhe mbetet “lokomotivë” e integrimit europian të vendit.
"Ky zotëri, përpiqet të mjegullojë qëndrimet e PD në procesin e integrimit, e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë. Forca jonë politike, është forca që ka firmosur të gjitha marrëveshjet në procesin e integrimit, ka marrë rekomandimin për statusin e kandidat dhe përveç hapjes së negociatave, çdo marrëveshje tjetër. Është forcë politike që ka qenë dhe mbetet lokomotivë e procesit të integrimit.
Gënjeshtra e dytë është, se axhenda jonë është MAGA. Por, axhenda jonë është integrimi i Shqipërisë në BE. Kjo histori mashtrimi, filloi me një trillim të padëgjuar ndonjëherë, se kur erdhi LaCivita, erdhi me cek për të bllokuar integrimin e Shqipërisë. Me këto i shërben Ramës, nuk kam dëshirë të të përgjigjem, por jam skandalizuar kur kam mësuar këto. Ky është qëndrim i përsëritur”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje