Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 22 mars në Tiranë.
Ai deklaroi se kjo protestë duhet të shndërrohet në “kryengritjen më të madhe paqësore” që ka njohur vendi.
Berisha e lidhi datën e protestës me 22 marsin e vitit 1992, ditën e zgjedhjeve që sollën rënien de facto të regjimit komunist në Shqipëri. Sipas tij, kjo datë përbën një moment frymëzimi për qytetarët.
“22 marsi është ditë frymëzimi për shqiptarët, dita kur de-facto u rrëzua diktatura më e egër. 22 marsi është dita kur shqiptarët ftohen në kryengritjen më të madhe paqësore që ka njohur Tirana dhe Shqipëria. Çdo qytetari i them se fati i Shqipërisë është sot më shumë se kurrë në duart e qytetarëve. Për aq sa është edhe fati i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. 22 marsi është betejë për Europën dhe rrugën europiane”, tha Berisha.
Kreu i PD akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka bllokuar procesin e integrimit për të mbrojtur korrupsionin në qeveri.
“Kundër një njeriu që për të mbrojtur vjedhjen e tij ua mbylli dyert shqiptarëve. Këto dyer nuk mund t’i hapë asnjë institucion tjetër përveç qytetarëve shqiptarë që duhet të ngrihen në betejë”, deklaroi Berisha.
Nuk ka kryengritje paqesore Shoku Sali. Sepse kryengritja eshte revolte e Shpirtit dhe Zemres se njeriut kunder te keqes, dhe nuk eshte qerasje me buqeta lulesh per diten e veres.