Pas 18 vitesh nga tragjedia e Gërdecit, procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu vijon të zvarritet mes shtyrjesh të njëpasnjëshme dhe mbi 50 seancash pa përfundim. Ndërsa familjarët e 26 viktimave presin ende drejtësi, gjyqi është kthyer në një maratonë pengesash proceduriale që rrezikon ta bëjë drejtësinë të vonuar dhe të pavlefshme...
Sot u shënuan plot 18 vite nga tragjedia e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona. Edhe sot e kësaj dite, familjarët e viktimave vazhdojnë të kërkojnë drejtësi. Shpërthimi në depon e municionit u cilësua si aksident nga qeveria Berisha, por hetimet ndër vite kanë treguar se pas atij shpërthimi fshiheshin shumë afera dhe përgjegjësi të tjera.
Me krijimin e SPAK, u duk se më në fund do të vinte drejtësia e munguar. Prokuroria e Posaçme mori në dorë dosjen dhe vendosi të hetojë Fatmir Mediun, ish-ministrin e Mbrojtjes. Por teksa u duk sikur kishte një dritë në fund të tunelit të pandëshkueshmërisë, ajo dritë vazhdon të mbetet e largët.
Çështja “Gërdeci” nisi zyrtarisht më 27 korrik 2021, kur SPAK kërkoi rihapjen e hetimit ndaj Mediut. Gjykata e Shkallës së Parë e refuzoi këtë kërkesë. U desh ndërhyrja e Apelit të Posaçëm dhe e Gjykatës së Lartë për të urdhëruar marrjen e tij të pandehur dhe vazhdimin e procesit penal. Në shkurt të vitit 2023, SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim Fatmir Mediun, por sot janë zhvilluar mbi 50 seanca dhe ende nuk dihet se kur do të përfundojë ky gjyq.
Procesi është kthyer në një maratonë të qëllimshme pengesash: mungesa të vazhdueshme të avokatëve, mosparaqitje të dëshmitarëve dhe ekspertëve, si dhe udhëtime të shpeshta të të pandehurit në Shtetet e Bashkuara, shpeshherë rastësisht pak ditë para seancave.
Asnjë ndalim daljeje nga vendi, asnjë paraqitje me forcë, asnjë masë përballë këtij sabotimi të vazhdueshëm të procesit gjyqësor.
Pas çdo shtyrjeje, zbehet një provë, devijohet një dëshmi, harrohet një fakt. Ky duket të jetë edhe qëllimi: të shtyhet pafund drejtësia derisa ajo të humbasë vlerën e saj.
Po flasim për një tragjedi me 26 viktima, mbi 300 të plagosur dhe miliarda euro dëme ekonomike e sociale. Një ngjarje që tronditi opinionin publik, por që për sistemin e drejtësisë rrezikon të kthehet në një farsë proceduriale.
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ende nuk ka dhënë një shpjegim publik pse procesi nuk përfundon, ndonëse për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” ligji parashikon përfundimin e gjykimit brenda 4 muajve.
E njëjta gjykatë që nxitoi të dënojë qytetarë të zakonshëm për “shpërdorim detyre” për një tender apo një firmë, hesht përballë një dosjeje me 26 viktima. Ligji është i qartë: për një akuzë të tillë afati i gjykimit është 4 muaj. Sot jemi në 3 vite dhe ende nuk kemi një përfundim të procesit.
Po çfarë drejtësie është kjo që i përkul kokën politikës, zvarrit pafund proceset dhe lë në pritje familjet e viktimave?
Nga ana tjetër, edhe SPAK ka ngritur pritshmëri që nuk janë përmbushur. Kur dërgoi për gjykim Mediun, institucioni njoftoi se gjatë hetimeve ishin kryer veprime edhe për procedurën e shitjes së municioneve nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” drejt kompanive të huaja “Evdin Ltd” në Qipro dhe “AEY” në Florida.
Sipas SPAK, për këtë episod hetimet nuk kishin përfunduar dhe ishte regjistruar një procedim i veçantë penal për korrupsion të funksionarëve të lartë dhe pastrim parash.
Me pak fjalë, SPAK premtoi të shkonte te “thembra e Akilit” e kësaj çështjeje: trafiku i municioneve.
Në këtë histori është përmendur edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, për të cilin ndër vite kanë ekzistuar akuza dhe dëshmi, përfshirë edhe nga burime në SHBA. Megjithatë, deri më sot nuk ka pasur zhvillime konkrete në këtë drejtim.
Ashtu si për 21 Janarin, edhe për Gërdecin, shumëkush sot pyet nëse drejtësia do të arrijë ndonjëherë deri në fund. Sepse pas 18 vitesh, familjarët e viktimave vazhdojnë të presin të njëjtën gjë: drejtësi. /Pamfleti
ALBANISTAN,hesapi. Gerrdeci, 21 Janari ,Shkaterrimi komplet i Ushtrise, Industrise, Bujqesise, infrastruktures, Instituteve, 97. o SKAPI, ka shume te drejte Berishovici, si nuk ju vjen keq per personat e vobeket qe humben jeten, u plagosen, nje pjese jan me handikaq edhe familjet e tyre. Vetem tek ne ndodh keshtu.