TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Mars 2026, 18:10

Rezultat i ngushtë votash, Oligert Muçllari zgjidhet kryetar i PD në Pogradec

Shkruar nga Pamfleti

Rezultat i ngushtë votash, Oligert Muçllari zgjidhet kryetar i PD

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në degën e Partisë Demokratike në Pogradec për zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj force politike.

Sipas të dhënave zyrtare, në procesin e votimit morën pjesë 476 anëtarë të Partisë Demokratike. Nga rezultati i numërimit, gara rezultoi e ngushtë, ku Oligert Muçllari u shpall fitues me 247 vota, duke siguruar drejtimin e degës së PD në Pogradec.

Kandidati rival në këtë garë, Kasem Galla, mori 224 vota, ndërsa sipas procesverbalit janë regjistruar edhe 6 vota të pavlefshme.

Gara u zhvillua mes dy kandidatëve të njohur në strukturat e kësaj force politike në qytet: Kasëm Galla, i cili ka drejtuar degën e PD në Pogradec gjatë viteve 2019–2021 dhe njihet gjithashtu si biznesmen në zonë, si dhe Oligert Muçllari, drejtues i komanduar i degës pas procesit të primareve dhe me profesion ekonomist.

Muçllari mbante deri tani detyrën e kryetarit të komanduar të degës së PD në Pogradec, ndërsa me këtë rezultat ai merr tashmë një mandat të plotë për të vijuar drejtimin e degës dhe për ta udhëhequr atë në përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2027.

Pas shpalljes së rezultatit, Muçllari falenderoi anëtarët e PD në Pogradec për mbështetjen.

“Falenderoj të gjithë anëtarët e PD në Pogradec për vlerësimin dhe privilegjin që më dhanë për drejtimin e degës së Pogradecit, por edhe për përgjegjësinë e madhe që na pret në të ardhmen. Unë e shoh këtë si një përgjegjësi të madhe jo vetëm ndaj demokratëve, por edhe ndaj të gjithë qytetarëve të Pogradecit. Ishte një proces dhe një garë dinjitoze. Kam vlerësim maksimal edhe për mikun tim, Kasëm Galla, me të cilin ishim në garë. Me dëshirë dhe angazhim të madh, shpresoj që ne si degë e PD të çojmë përpara misionin tonë, duke e rikthyer bashkinë nën drejtimin e Partisë Demokratike dhe duke e qeverisur me dinjitet, ashtu siç u takon qytetarëve të Pogradecit”, u shpreh ai.

Lini një Përgjigje