Nga Ben Blushi te Saimir Tahiri, Ditmir Bushati, Erion Veliaj e deri te përplasjet e fundit brenda PS-së, historia e një partie ku çdo figurë që rritet politikisht përfundon e sakrifikuar nga pushteti absolut i Edi Ramës...
Është e gjatë lista e personazheve të rëndësishme të politikës socialiste që janë “kullufitur” prej “babait”, hija e të cilit nuk duron që bijtë e tij të ecin përpara apo të marrin fronin e tij në ish-Komitetin e PPSH-së së Tiranës.
Këtë ndërtesë Edi Rama e ka kthyer në një qendër biznesi që kur mori detyrën e kreut të PS-së në vjeshtën e vitit 2005.
Mbështetës të tij në qarqet mediatike janë përpjekur të analizojnë situatën në PS në lidhje me ngërçin me drejtësinë nga këndvështrimi se si e shikon kryeministri panoramën, apo më mirë siç dëshiron ai të shihet.
Sipas këtij interpretimi, fajin e kanë politikanët socialistë, të cilët, të nxitur nga egoja individuale, kanë luftuar njëri-tjetrin duke e sjellë partinë në këtë gjendje.
Egoja apo ambicia e çdo individi që i futet politikës apo karrierës nuk përbën ndonjë krim. Përkundrazi, ajo është shpesh shtysa e një zhvillimi normal në shoqëri.
Problemi që po kalon mazhoranca aktualisht mund të ketë peshën e gabimeve apo përgjegjësisë së individëve që fajësohen nga këndvështrimi i Edi Ramës.
Por mbi të gjitha, kjo PS e sotme ngjan me një kështjellë mesjetare të mbushur me myk dhe lakuriqë nate, ku ka shërbëtorë dhe një banor të mbyllur në kullën e errët lart. Një Vlad Tepeș modern që, si një Drakula politik, ushqehet me “gjakun” e rioshëve socialistë për të zgjatur përjetësinë e pushtetit të tij, duke thyer çdo rekord.
Në fakt, e gjithë “tufa” e qengjave socialistë që i hëngri “Konti Edi” ka edhe përgjegjësinë e vet për mungesën e një vizioni të qartë politik që i çoi drejt dramave të tyre.
Por mbi të gjitha, kjo histori tregon edhe naivitetin e këtyre personazheve që lejuan ta kthejnë partinë e tyre në një skenar të ri të historisë së Kontit Drakula.
I vetmi që ka bërë beteja politike reale në Partinë Socialiste ka qenë Ben Blushi, më shumë se një herë. Por ai nuk pati kurrë përkrahjen e kolegëve, të cilët mund të kishin krijuar një proces politik ndryshe dhe të kishin frenuar pushtetin absolut të Edi Ramës.
Në vitin 2005, Ben Blushi ishte ndër përkrahësit e ardhjes së Edi Ramës në krye të PS-së, ndërkohë që Pandeli Majko, Rexhep Meidani dhe grupi i vjetër rezistuan për ta ndaluar këtë ndryshim.
Blushi u zgjodh kryetar i grupit parlamentar të PS-së dhe u kthye në një nga figurat në ngjitje të opozitës së atëhershme, ndërkohë që Rama nuk ishte në Kuvend, pasi drejtonte Bashkinë e Tiranës.
Kjo rritje politike e Blushit shkaktoi reagimin e Edi Ramës, i cili në vitin 2007, kur Bamir Topi u zgjodh President dhe disa deputetë të PS-së votuan për të, kërkoi largimin e Blushit nga posti i kryetarit të grupit parlamentar.
Pas zgjedhjeve të vitit 2009, Blushi bëri një betejë të hapur kundër Ramës, kur PS nuk arriti të fitonte zgjedhjet kundër Sali Berishës.
Vetëm pak persona i qëndruan pranë në atë moment dhe më pas shumë prej tyre u tërhoqën.
Ndërkohë Blushi vazhdoi përplasjen politike edhe pas ardhjes së PS-së në pushtet, deri në vitin 2017, kur krijoi partinë e tij.
Ikja e Blushit, që duhet thënë nuk pati një mbështetje nga kolegët e tij të skuadrës socialiste hapi rrugën e një kurbani masiv. Sipas mënyrës një e nga një, në mënyrë që të mos shkaktohej trazirë dhe “shumë gjak” në sallahane.
Ngjarja me Saimir Tahirin është drama e parë e egër e panoramës që do të shihnim në Partinë Socialiste. Sulmi kundër tij nga Sali Berisha dhe Ilir Meta dukej qartë se synonte Edi Ramën.
“Saja” siç e quante Berisha, u sulmua pikërisht një ditë pasi hyri në Shtëpinë e Bardhë, ku shtrëngoi dorën me Barack Obama-n. Ndërkohë që me kreun e FBI firmosi protokollin që solli në Shqipëri hetuesit që do të ndiqnin penalisht gjithë kupolën socialiste.
Drama e Saimir Tahirit, më shumë se penale ishte një tragjedi e vërtetë politike. Ku Edi Rama ushqeu grupe e njerëz që t’i suleshin “qengjit” për ta ndarë sa më shumë nga tufa. Që pastaj ta nxirrnin në pritë për ta shqyer “babai”.
Tahiri e pa veten të braktisur nga të gjithë kolegët, siç kishte ndodhur me mikun e tij Ben Blushi, të cilin nuk e përkrahu apo së paku nuk ia kuptoi politikisht betejën.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte dukshëm faktori politik në PS, i cili me naivitet ju sul kolegut të tij si dhe mjedisit politik që Saimir Tahiri kishte krijuar në PS-në e Tiranës.
Për një periudhë, Veliaj e pa veten omnipotent si politikani më i fuqishëm pas “babait”, i cili me ankth vëzhgonte nga kulla e lartë që qengji të majmej sa më shumë për ta shqyer kur të vinte momenti. Siç dhe ndodhi. Veliaj nuk do të ishte vrarë kaq shumë nga rënia pingul, sikur të kishte shokë që ta prisnin, për t’ja bërë më të butë trajektoren.
Kështu ndodhi edhe me Ditmir Bushatin, gjithashtu një politikan socialist me preskeptivë dhe me aftësi politike të spikatura. Bushati, në momentin kur i rriti aksionet e veta, sidomos në arenën diplomatike u mënjanua nga Edi Rama, deri në zbimin e tij nga Partia Socialiste.
Shokët më të ngushtë të Bushatit në PS, që e nxisnin në betejën e tij, ishin të parët që e braktisën, duke marrë postet e “babait” që priste qengjin e radhës të ndahej nga tufa.
Lista vazhdon me Gjiknurin e të tjerë politikanë që nuk e kanë më relevancën politike, por funksionojnë si mekanizma të “kontit të kullës”.
Për të ardhur tek ngjarjet e kohëve të fundit, ku Elisa Spiropali duket se është rreshtuar në një front kritik, por si të tjerët para saj, ka mbetur vetëm. Madje edhe në Parlament është ulur në bankën e fundit.
Ndërkaq, Belinda Balluku, ka treguar deri tani të vetmin rast rezistence të fortë ndaj Edi Ramës. Pavarësisht një situate tejet të rëndë dhe një atmosfere të ngjashme me kasaphanat paraardhëse, ajo jo vetëm nuk lejoi ta hante “babai”, por deri tani ka qëndruar fort.
Po “senatorët”? Që nga Majko, Xhafaj, apo edhe Erion Braçe, i cili është fenomen ndryshe ngaqë ka luftuar gjithmonë i vetëm për betejat e tij pa grupacione?
Duhet parë ç’do të ndodhë në vazhdim, po mungesa e politikës reale mund ta kthejë PS-në në një gërmadhë politike siç ka ndodhur me PD-në e Sali Berishës. Madje shumë më shpejt nga se ç’duket…/Pamfleti
Nuk e lexova fare artikullin, pervec titullit. Pse kush eshte ai budalla qe nuk i pelqen mishi i qengjit, bile me i shijshem eshte mishi i qengjit pires qe nuk ka filluar te haje bar. Degjoni plakun.
Edhe Enver Hoxha po keshtu i ngrinte e pastaj i perplaste kuadrot. E njejta politike kuadri e mesuar nga emisaret jugosllave qe me 1943-1947.